Bota

Erdogan i bindur për fitore, por pranon mundësinë e balotazhit!

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka udhëhequr Turqinë për 20 vjet, po përballet me një rezultat të ngushtë në votimet e djeshme presidenciale.

Votat po vazhdojnë të numërohen dhe bëhet e ditur se mund të ketë një balotazh vendimtar midis Erdoganit e kundërshtarit të tij kryesor, Kemal Kilicdaroglu.

Rezultatet përfundimtare që dalin pas numërimit të votave, qofshin brenda disa ditësh apo pasi raundi i dytë i votimit të zhvillohet brenda dy javësh do të përcaktojnë nëse Turqia, aleate e NATO-s, mbetet nën kontrollin e Erdoganit ose rifillon një rrugëtim më demokratik, të premtuar lideri i opozitës Kemal Kilicdaroglu.

Duke folur para mbështetësve në Ankara, Erdogan tha se ai ende mund të fitonte, por do të respektojë vendimin e qytetarëve nëse gara shkon në një balotazh pas dy javësh.

Ne ende nuk e dimë nëse zgjedhjet përfunduan në raundin e parë. Nëse kombi ynë ka zgjedhur për një raund të dytë, kjo është gjithashtu e mirëpritur! Votat e qytetarëve turq që jetojnë jashtë vendit duhet ende të numërohen.

Erdogan mblodhi 60% të votave të diasporës në vitin 2018. Zgjedhjet e këtij viti në Turqi u përqendruan kryesisht në çështjet e brendshme si ekonomia, të drejtat civile dhe tërmeti i muajit shkurt që shkaktoi më shumë se 50 mijë viktima.

Me numërimin jozyrtar gati të përfunduar, mbështetja e votuesve për presidentin aktual kishte rënë nën shumicën e kërkuar që ai të fitonte. Erdogan ka 49.3% të votave, ndërsa Kilicdaroglu, 45%.

“Ne do të fitojmë absolutisht raundin e dytë dhe do të sjellim demokracinë”, tha Kilicdaroglu, 74 vjeç, kandidati i një aleance gjashtë partish, duke argumentuar se Erdogan kishte humbur besimin e një kombi që tani kërkon ndryshim.

Autoriteti zgjedhor i Turqisë, Bordi i Lartë Zgjedhor, tha se do t’i bënte publike rezultatet sapo të përfundonte dhe finalizohej numërimi.

Sipas bordit, shumica e fletëve të votimit nga 3.4 milion votues me të drejtë vote jashtë shtetit duhet ende të numërohen dhe balotazhi i zgjedhjeve të 28 majit nuk është i garantuar.