Bota

Erdogan lidh aleancë me Melonin: Bashkë “kundër” Francës në Afrikë!

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan duket se po kërkon dhe po gjen një aleate të re tek kryeministrja italiane e por-sapozgjedhur, Giorgia Meloni.

Kreu i shtetit turk po lëviz drejt farkëtimit të partneriteteve të reja me liderë europianë të ekstremit të djathtë, dhe Meloni është më e fundit në listën e tij.

Dy liderët japin shenja se po gjejnë një gjuhë të përbashkët për çështjet që lidhen me Afrikën dhe imigracionin, pavarësisht politikave të tyre diametralisht të kundërta, duke përfshirë thirrjet e zonjës Meloni për të ngrirë ndërtimin e xhamive në Itali dhe pozicionimin e Erdogan si një mbrojtës i të drejtave të myslimanëve.

Takimi i parë i tyre ndodhi gjatë samitit të G20 në Indonezi, e u shoqërua me buzëqeshje dhe një shtrëngim të ngrohtë duarsh. Një nga përparësitë e kryeministres Meloni është frenimi i imigrimit nga Afrika, kryesisht përmes Libisë. Turqia ka lidhje të forta me Qeverinë e Unitetit Kombëtar të Libisë, duke i dhënë presidentit Erdogan një avantazh në shkëmbimet e tij me kryeministren Meloni.

Ekspertët thonë se Tajip Erdogan është mysliman dhe turk. Meloni është e krishterë dhe italiane. Pra, ata e kuptojnë njëri-tjetrin shumë mirë. Ata nuk flasin për vlera të caktuara, vlera demokratike, por për vlerat fetare, nacionaliste dhe mendoj se do ta kuptojnë njëri-tjetrin shumë më mirë se të tjerët. Sipas tyre, udhëheqësit e Turqisë dhe Italisë synojnë ndër të tjera të bashkojnë forcat e të sfidojnë interesat ekonomike fitimprurëse të Francës në Afrikë.