Art & Kulturë

Erion Veliaj tregon transformimin e “Pazarit të Ri” dhe kohën kur shiste fiq!

“Pazari i Ri” është përuruar sot zyrtarisht dhe në një guidë për “Wake Up” në Top Channel, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka treguar gazetarit Eno Popi vendin ku dikur ka shitur fiq.

“Këtu është dhe zona ku unë kam shitur fiq. Tani ajo nuk gjendet më! Unë jam me parimin që askush nuk duhet të ndihet keq që në një moment të jetës ka bërë një punë të ndershme për të jetuar. Shumë njerëz e përflasin me humor këtë histori, por unë them që kushdo i ri që kërkon të eci përpara me punë, pavarësisht vështirësive që mund të ketë në familje, duhet ta bëjë këtë, sepse jetës asnjëherë nuk i dihet”.

Duke folur edhe për ndryshimet që ka pësuar kjo zonë e kryeqytetit, Veliaj ka shtuar duke qeshur:

“Asokohe kisha shumë tezga. Këtu ka ende tregtarë që nga koha kur unë shisja fiq. Përtej shakasë, kjo zonë është transformuar plotësisht dhe do të jetë një atraksion më shumë për turistët, por jo vetëm kaq. Pritet që “Pazari i Ri” të punësojë së paku 1000 qytetarë.”

I pyetur për faturën e këtij investimi, Veliaj ka thënë se ky rikonstruksion ka kushtuar në total 5 milion dollarë, dhe fatura është ndarë mes Fondit Shqiptaro- Amerikan, Bashkisë Tiranë dhe Qeverisë.