Aktualitet Celebrities Showbiz

Ermal Meta: “Nesër në Tiranë, koncerti më i mirë i jetës time”!

Duke mos i fshehur emocionet që do të këndojë në Atdheun e tij, këngëtari Ermal Meta premton se do të mbajë nesër koncertin më të mirë të jetës së tij. Në konferencën për shtyp, i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Meta u shpreh se pavarësisht se është hera e tretë që këndon në Shqipëri, i duket si hera e parë dhe se po dridhej nga emocionet.

Ai tha se do t’i ‘shkrijë’ të gjitha energjitë në skenë, ndonëse për të është hera  e parë që do të  bëjë një koncert në stadium.

“Është një nder shumë i madh për mua, hera e 3-të që bëj koncert këtu dhe sa herë vij më duket si hera e parë, sikur nuk kam bërë kurrë një koncert, po dridhem sot imagjinoni nesër. Nesër do mundohem të bëj koncertin më të mirë në jetën time. Është hera e parë që bëj koncert në një stadium dhe të gjitha energjitë do i shkrij mbi skenë”, tha ai.

Ermal Meta do të këndojë nesër në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, ku koncerti pritet të fillojë pasdite në orën 19:00.

Ermal Meta, i cili jeton në Itali, rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë. Pas shumë muajsh pauze prej pandemisë, Ermali ka vendosur të kryejë turin e tij të parë muzikor.  Një turne i cili do t’i japë fund mungesës së koncerteve, por në të njëjtën kohë do të ketë një rëndësi emocionale për këngëtarin prezenca e tij në Shqipëri.