Rajoni

Escobar: E pranon ose jo Kurti, Asociacioni duhet të formohet!

Në një intervistë ekskluzive për The Pavlovic Today, zëvendësndihmës Sekretari amerikan, Gabriel Escobar, foli gjatë për dialogun Kosovë-Serbi, për qëndrimin e Albin Kurtit si dhe për zhvillimet e një dite më parë në Parlamentin serb, ku nuk munguan përplasjet për çështjen e Kosovës dhe planin franko-gjerman.

Planin gjerman, zyrtari i lartë i SHBA-së e përshkroi si “një udhërrëfyes të mrekullueshëm”  e tha se shpreson që të dyja palët ta pranojnë dhe të nisin menjëherë zbatimin e tij. Sa për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai u tregua i prerë se marrëveshja duhet zbatuar.

“Ka mjaft fusha që ekzistojnë brenda Marrëveshjes së Brukselit e që mbeten të paplotësuara. Një nga më të rëndësishmet është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha Escobar.

Escobar nuk tregoi nëse pika për Asociacionin është e përfshirë në planin franko-gjerman, duke thënë se mund të zbulojë vetëm që ka një dispozitë që Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara. Ai pati edhe një koment për 6 kushtet e paraqitura nga Kurti për pajtimin me krijimin e Aosciacionit.

“Sido që shkoni përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, do të keni një Asociacion. Prandaj them gjithmonë se do të zbatohet në një moment. E pranon ose jo qeveria aktuale në Kosovë detyrimin ligjor, nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është arsyeja përse vazhdoj të them se do të ndodhë. Do të jetë baza e marrëveshjes së normalizimit. Kjo, nuk mund të mos bëhet”, u shpreh Escobar.

Sa për urgjencën me të cilën po shtrohet kjo çështje tani, ai shpjegoi se ky insistim diktohet nga fakti që vitin e fundit ka pasur një sërë konfrontimesh në rritje mes Serbisë dhe Kosovës, të gjitha të përqendruara tek trajtimi i i serbëve në veri dhe mënyrës se si ata ndërveprojnë me Qeverinë e Kosovës, ndërsa pika tjetër është tensioni i luftës në Ukrainë.