Horoskopi

Është fiks çasti që të mësosh se si sillet një Virgjëreshë, në çdo aspekt!

Virgjëresha është perfeksioniste, super e organizuar dhe paaak paragjykuese. Këto i dimë të gjithë, ama a e di si sillet një Virgjëreshë në dashuri, me miqtë, apo kur është totalisht vetëm? Jo? Epo, mund ta mësosh tani!

VIRGJËRESHA NË PUNË

Virgjëresha udhëhiqet nga Mërkuri. Falë planetit të komunikimit dhe udhëtimeve, Virgjëresha mund të kapë çdo detaj. Shpesh ekziston një mendim se Virgjëreshat janë super të fiksuara me organizimin, por në fakt, thjesht duan ta kenë të sistemuar ambientin e tyre. Domethënë, nëse të gjithë do të mbanin pastër qoshen e tyre, bota do të ishte perfekte. Gjithsesi, kemi një këshillë: Para se ai prezantimi të shkojë të klienti, duhet të kalojë në duart dhe sytë e mprehtë të një Virgjëreshe.

Duke qenë se Virgjëresha vjen direkt pas Luanit, ajo merr rolin e një lideri. Ajo është kreative, dëgjon mendjen dhe zemrën, i zgjidh të gjitha detyrat dhe përqendrohet tek arritja e dëshirave.

VIRGJËRESHA NË DASHURI

Mos u gënje nga emri “Virgjëreshë”, *hehe*. Virgjëresha nuk është aspak modeste apo e turpshme. Por, duhet ta dini që zgjedh gjithnjë më të mirën në dashuri. Shpirti binjak duhet të jetë perfekt, gallatë, miqësor/e…Ka punë-puna.

Se mos harrojmë: Nuk mund t’ia hedhësh. As mos e ço nëpër mend.

VIRGJËRESHA ME MIQTË

Virgjëresha organizon kohën, informacionin që merr dhe sigurisht, edhe njerëzit me të cilët rri. Miku/ja yt/jote Virgjëreshë është ai/ajo që ju mbledh për udhëtime, apo ku të gjithë shkoni për të marrë një këshillë. Se mos keqkuptohemi, mos prit puthje dhe përqafime, por përballu me realitetin shqeto, pa asnjë ojnë e lajkë. Nëse je gati për fjalinë: “Lëre se nuk bën për ty!”, shko te Virgjëresha.

Kur flasim për humorin, Virgjëresha nuk di të bëjë shaka pa futur pak sarkazmë. Pra, nëse batuta është bifteku, sarkazma është piperi. Mos e merr fare personale, as mos mbaj inat, se në fund të ditës, ti humb.

Virgjëresha i vlerëson pa fund miqtë dhe kujdeset që të jetë gjithmonë korrekte me të gjithë.