Sport

Euro 2020, finalja Itali-Angli!

Kampionatit “Euro 2020” sonte i vjen fundi e sigurisht, jo pa u luajtur më parë finalja e shumëpritur Itali-Angli, në orën 21:00, në Stadiumin “Wembley” të Londrës. Të dy kombëtaret kanë dhënë shumë me performancat e tyre dhe synojnë fitoren. Për trajnerin italian Roberto Mancini, ky është një prej momenteve më të rëndësishëm të karrierës së deritanishme.

Anglia është e fortë e në pankinë ka shumë armë por edhe ne jemi! Sterling vjen si lojtar i rritur shumë e mjaft i shpejtë, duhet të tregojmë kujdes! Gjithashtu kemi Kane-in, të gjithë sulmues të një shpejtësie e teknike të lartë.

Të jemi të qetë e të përqëndrohemi te loja jonë! Ka shumë pasion për të dyja palët. Anglia ka qenë disi e pafat në rrugëtimet në Europian e Botëror por mendoj se do të jetë një ndeshje madhështore në një stadium të mbushur, çka përbën lajm të mirë!

Duam të luajmë siç dimë e këtë donim të bënim edhe me spanjollët që u treguan më të aftë në mbajtjen e topit. Nuk mund të ndryshojmë tani, të vazhdojmë të bëjmë atë që na solli deri këtu!

Por çfarë përfaqëson kjo finale për ish-futbollistin Roberto Mancini, tani teknik i “të kaltërve?”

Shpresoj të marr ato kënaqësi që nuk i pata si futbollist edhe pse kam luajtur në skuadra shumë të forta!

Në kampin kundërshtar, anglezët e kanë të qartë se janë në një finale dhe duan të fitojnë. Trajneri Gareth Southgate:

Jemi të lumtur për mënyrën si e kemi përfaqësuar popullin anglez por duam trofeun! Në Londër, atmosfera është fantastike dhe futbollistët mund ta ndjejnë mbështetjen.

Southgate nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Phil Foden për një dëmtim që fillimisht u duk i lehtë por nuk rezultoi ashtu.

Ndërkaq, tekniku anglez kishte një thirrje për tifozët:

Mos fishkëlleni kur të ekzekutohet Himni Kombëtar i Italisë! Mund të fishkëlleni apo të thërrisni “booo” gjatë ndeshjes por himnet respektohen!

Para takimit Itali-Angli nuk do të ketë asnjë “Football’s Coming Home”. “JO”-ja vjen nga UEFA që refuzoi kërkesat e autorëve Baddiel e Skinner duke e cilësuar një gjë të tillë, “të padrejtë ndaj italianëve”.

Edhe për kapitenin e Anglisë, Harry Kane, “mbështetja e tifozëve tregon rëndësinë e kompeticionit”.

Eshtë bukur të shohësh këtë entuziasëm përreth skuadrës, jemi krenarë që i përfaqësojmë dhe duhet t’i bëjmë të ndihen mirë!

E finalja e shumëpritur nuk lë indiferent Pallatin Mbretëror. Në një mesazh dërguar trajnerit Southgate, Mbretëresha Elizabeta e Dytë i uron fat për sonte, si dhe përshkruan një moment domethënës:

55 vjet më parë pata fatin t’i dorëzoja Kupën e Botës, Bobby Moore-it dhe e pashë se çfarë do të thotë për lojtarët, trajnerët e stafin ndihmës të arrish në finalen e një turneu kaq të rëndësishëm!