Sport

Euro 2020, mes tre sfidave të sotme “derbi i zjarrit” Angli-Skoci!

Në Euro 2020, tre janë sfidat në program për sot, por nuk ka dyshim se më interesantja i përket orës 21:00 dhe është derbi i zjarrit Angli-Skoci. Gjithashtu njihet si rivaliteti më antik në futboll. Përballja e parë daton 1873-shin e në 149 vitet e fundit janë ndeshur 114 herë.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate mendon se ndaj Skocisë nuk mund të luhet ndeshje normale dhe duhet të jenë në gjendje të përqëndrohen vetëm te sfidat që kundërshtari do të paraqesë në fushë. “Tre Luanët” vijnë nga fitorja debutuese ndaj Kroacisë falë një goli të Sterling dhe po kërkojnë tre pikët e radhës për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër, 90 minuta më herët.

Ndërkaq, tekniku i Skocisë, Steve Clarke foli për një takim me shumë rëndësi e vuri në dukje se anglezët nuk duan të humbasin kundër tyre. Skocia synon të shpagojë debutimin e hidhur kundër Republikës Çeke, me qëllimin për të marrë pikë që të mos i thotë “lamtumirë” Europianit.

Sfidat e sotme në Euro 2020 nisin me përballjen e Grupit E: Suedi-Sllovaki. Pritet një takim i luftuar nga të dy ekipet që kanë vetëm një objektiv: Fitoren! Rrugëtimin në Europian, Sllovakia e filloi me një ndeshje spektakolare pasi mundi Poloninë me rezultatin 2-1.  Ndërkohë, Suedia barazoi pa gola ndaj Spanjës, në një sfidë ku patën edhe raste për të shënuar.

Në Grupin D, në fushë zbret Kroacia që nuk mund të hedhë hapa të gabuar ndaj Republikës Çeke.