Sport

Euro 2020, sonte Itali-Spanjë, formacionet e mundshme!

Sonte në orën 21:00 luhet Itali-Spanjë, gjysmëfinalja e parë e këtij Europiani për të mësuar emrin e skuadrës që do të sigurojë kalimin në finalen e 11 korrikut. Të kaltrit kanë udhëtuar drejt Londrës me objektivin për të qëndruar, pasi Stadiumi “Wembli” është vendi i dy gjysmëfinaleve dhe finales.

Trajneri Roberto Mancini i ka të gjithë në dispozicion me përjashtim të Leonardo Spinazzola-s, iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në Finlandë pas një dëmtimi, teksa vendin e tij pritet ta marrë Emerson Palmieri.

Në konferencën për shtyp para takimit, Mancini tha se për të qëndruar deri në fund duhet të luajnë një ndeshje të mirë.

Do të jetë e vështirë edhe pse Spanja është ndryshe nga Belgjika e ndeshja nuk pritet e njëjtë por me shumë vështirësi!

Sa i përket kritikave ndaj Immobile-s, Mancini u shpreh:

Në një Botëror apo Europian, më i kritikuari shpesh kthehet në zgjidhje për ndeshjen apo turneun.

Me mesazhin: “Sërish bashkë! Forca të kaltër!”, Mancini kërkon të mbajë të karikuar djemtë e tij që deri tani kanë shkëlqyer në këtë Europian.

Formacionet e mundshme:

Italia 4-3-3: Donnarumma, Di Lorenzo, Bonucci, Chiellini, Emerson, Barella, Jorginho, Verratti, Chiesa, Immobile, Insigne. Trajner Mancini

Spanja 4-3-3: Unai Simon, Azpilicueta, Laporte, Pau Torres, Jordi Alba, Koke, Busquets, Pedri, Ferran Torres, Morata, Dani Olmo. Trajner Luis Enrique

Spanja nuk rikuperon Sarabia-n, autorin e dy golave dhe dy assist në Euro 2020 i mbetur jashtë për shkak të një problemi muskulor. Ai do të zëvendësohet nga Dani Olmo, me Ferran Torres e Morata që plotësojnë treshen. Ndërkaq, në mbrojtje rikthehet Laporte.