Sport

Euro 2025, zbardhet kalendari i ndeshjeve të Shqipërisë U-21!

Për kualifikueset e Kampionatit Euro 2025 për grupmoshën nën 21 vjeç, shorti i hedhur këtë javë në Nyon të Zvicrës, kombëtaren kuqezi e vuri në Grupin E, me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi e Armeninë. Ndërkohë, sot u përcaktua edhe kalendari i ndeshjeve.

Shqipëria U-21 e drejtuar nga Alban Bushi, fushatën e saj do ta nisë në transfertë ndaj Armenisë (8 shtator) e pritet ta mbyllë po ndaj Armenisë (15 tetor 2024), brenda në shtëpi. Në muajt mars e qershor, brenda datave zyrtare, kuqezinjtë e vegjël do të luajnë katër miqësore për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë për një fushatë kualifikuese.

Alban Bushi u shpreh:

Mendoj që është grup relativisht i fortë dhe i ekuilibruar. Gjithkush mund t’i marrë pikë njëri-tjetrit, janë ekipe që të hapin probleme. Gjithmonë jemi në kërkim të talenteve, FSHF ka bërë punë të mirë. Do të kemi prurje shumë të forta. Shpresoj të mos kemi dëmtime këtë sezon. Uroj që lojtarët të marrin minuta në ekipet e tyre, kam besim se do bëjnë mirë. FSHF mund të na ndihmojë me ndeshje miqësore. Grupi është i kalueshëm. Kemi menduar të bëjmë katër miqësore.

Grupi E do të jetë interesant, mendoj se do të ketë shumë barazime. Jemi të fokusuar te ndeshja e parë ndaj Armenisë. I kemi parë, e kuptuam mënyrën e tyre të lojës. Duke sakrifikuar dhe luftuar, por edhe me pak fat, kemi mundësi të arrijmë sa më lart. Asllani e Adrian Bajrami janë dy lojtarët që mund t’i kemi nga ekipi A, por Bajrami është i dëmtuar. Me Silvinjon kemi patur 2-3 takime. Më pëlqen shumë mënyra si punon. Mendon të bëjë sa më mirë e të arrijë sa më lart. Edhe si futbollist ka qenë i tillë. Mendoj se do të bëjë mirë, si ekipi i parë dhe ekipi Shpresa.

Kemi punuar mjaft mirë, kemi patur edhe problemet tona. Problemi më i madh ka qenë përqendrimi, një problem ballkanas. Eshtë një gjë gjenetike, si rritesh e si zhvillohesh. Përqendrimi gjatë 90 minutave na ka munguar. Do të grumbullohemi në mars në Antalia për të bërë diçka më ndryshe. Do të luajmë katër ndeshje miqësore. Futbolli është aq sport i bukur, por edhe i mërzitshëm. Mund të luajmë keq, por duhet të vrapojmë mirë e të luftojmë. Këtë kam kërkuar gjithmonë te ekipi. Mendoj se 70% e grupit do të jetë njësoj me grupin e tetorit. Unë kam shumë besim se do të afrojmë edhe shumë lojtarë të tjerë.