Bota

Eurodeputetët letër Von der Leyen: Hetoni Oliver Varhelyin, mbështeti Dodik për shpërbërjen e Bosnje Hercegovinës!

30 eurodeputetë i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ku i kërkojnë që të hetojë zyrtarin e BE-së, Oliver Varhelyi. Anëtarët e Parlamentit Evropian (PE) i shkruajnë në letër Von der Leyen se sipas një dokumenti të zbuluar thuhet se komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka bashkëpunuar me udhëheqësin serb Milorad Dodik, i cili u shpall ‘non grata’ nga SHBA, për të shpërbërë Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Më shqetësues është një dokument i zbuluar, i cili është nënshkruar nga Johann Sattler, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, ku thuhet se komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka bashkëpunuar hapur me Milorad Dodik për ndarjen e mundshme të Bosnje dhe Hercegovinës. Raporti vëren se komisioneri Varhelyi ‘u pajtua’ me z. Dodik lidhur me datën e një sesioni të posaçëm të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sprska dhe se do të shpallej një moratorium 6-mujor për të miratuar legjislacionin mbi tërheqjen e njëanshme nga institucionet shtetërore”, shkruhet në letër.

Eurodeputetët kanë ngritur tre pyetje në letër dhe presin përgjigje nga Komisioni Europian mbi veprimet e Varhelyit, nëse ato janë në përputhje me politikën e BE-së ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe nëse do të ketë një hetim për rolin e tij si Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin.

Bosnja aktualisht po përballet me krizën e saj më të madhe politike që nga përfundimi i luftës në dhjetor 1995, kur u nënshkrua marrëveshja e paqes e Dejtonit. Marrëveshjet e ndanë vendin në dy entitete gjysmë autonome, entitetin e Federatës së dominuar nga boshnjakët dhe kroatët dhe entiteti Republika Srpska e drejtuar nga serbët.

Letra e nënshkruar nga 30 eurodeputetët thekson se Komisioni si një palë neutrale ka një rol kyç në sigurimin e respektimit të marrëveshjes së Dejtonit nga të dyja palët pasi tensioni politik brenda Bosnje Hercegovinës ka përshkallëzuar. Kjo letër u nda në rrjetin social ‘Twitter’ nga eurodeputetja Katalin Cseh.

“Me kolegët e eurodeputetëve, ne bëjmë thirrje për një hetim mbi rolin e Komisionerit Varhelyi që ndihmon përshkallëzimin separatist Milorad Dodik në Bosnje-Hercegovinë. BE-ja duhet të qëndrojë në mënyrë të vendosur në anën e paqes. Njerëzit në Bosnje-Hercegovinë meritojnë qartësi për këtë situatë”, shkruan ajo. Milorad Dodik u shpall “non grata” nga SHBA si i përfshirë në korrupsion dhe cenim të demokracisë. Prej muajsh, ai ka kërcënuar tërheqjen e serbëve nga institucionet e shtetit federal boshnjak me pretendimin se nuk janë respektuar të drejtat e minoritetit serb në vend sipas Marrëveshjes së Dejtonit 1995. Pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Dodik deklaroi se në 5 vitet e ardhshme ai parashikon që Republika Srpska do të bëhet shtet i pavarur. Javën e ardhshme, ministrat e Jashtëm të BE do të mblidhen për të diskutuar çfarë masash dhe qëndrimesh do të mbajnë për situatën në Bosnje-Hercegovinë.