Politikë

Eurointegrimi i Shkupit dhe Tiranës, mes prioriteteve të presidencës portugeze!

Konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Portugalia do të përpiqet t’i organizojë në gjysmën e parë të vitit. Këtë deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme, Augusto Santosh Silva, vendi i të cilit mori presidencën e radhës se BE-së më 1 janar.

Silva theksoi se hapja e bisedimeve të pranimit me Tiranën dhe Shkupin është mes përparësive të presidencës portugeze. Kryediplomati paralajmëroi se përmes bisedimeve, Lisbona zyrtare do të kërkojë të tejkalohen keqkuptimet ndërmjet Sofjes e Shkupit pasi qëndrimet e Bullgarisë po bllokojnë Maqedoninë e Veriut.

Ai theksoi se BE deri më tani ka dërguar shumë kërkesa për Maqedoninë e Veriut dhe se vendi duhej të kryente një numër reformash shumë të rëndësishme, madje edhe të ndryshonte emrin.

Ata e bënë punën e tyre. Tani është koha që ne të përfundojmë tonën. Tani kemi një situatë të re, pyetjet e bëra nga Bullgaria. Qëllimi im është të flasim intensivisht me qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë. Sepse është shumë e rëndësishme të dëgjosh me kujdes argumentet e palës tjetër. Kur kjo të bëhet, mund të kuptohet lehtësisht se ekziston një bazë e përbashkët ku mund të punohet.