Aktualitet

Eurokomisioneri Varhelyi thirrje Bullgarisë të heqë veton!

Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Brukseli, se nuk pret të zgjidhet asgjë në Bullgari, sa i përket vetos bullgare ndaj ecurisë së mëtejshme të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për në Bashkimin Europian, Brukseli ka një thirrje për Sofjen, që e drejtoi eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi:

BE i merr shumë seriozisht të gjitha shqetësimet e Bullgarisë dhe ato janë tani pjesë e procesit të negociatave. Koha për vendime të përgjegjshme është tani. Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit tonë Europian. Së bashku do të jemi më të fortë.

I bëjmë thirrje parlamentit bullgar dhe të gjitha palëve që të përmbushin angazhimin e tyre dhe ta vendosin sot për miratim propozimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ashtu siç është propozuar më herët.

Kreu i opozitës bullgare Boyko Borissov tregoi lidership duke e hedhur propozimin në tryezë. Ne kemi nevojë që të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë. BE-ja duhet të lëvizë!

Nga BE-ja, Tirana trajtohet e pandarë nga Shkupi sa i përket procesit të integrimit europian, por për Maqedoninë e Veriut gjërat nuk janë shumë të thjeshta.  Për 17 vjet, vendi fqinj ka qenë kandidat për anëtarësim në BE e vetëm në korrik të 2020-ës, Komisioni dha miratimin në parim për negociatat e anëtarësimit. Por, për Shkupin nuk përfundoi me kaq, pasi ishte Bullgaria që i vuri veto, për shkak të përplasjeve mbi çështje të karakterit historik.

Sofja zyrtare ka patur e vazhdon të paraqesë ankesa të vazhdueshme lidhur me të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, edhe pse pikërisht dje, u duk sikur mosmarrëveshjet morën një kthesë pozitive. Ish-kryeministri bullgar, Boyko Borissov, kryetar i partisë opozitare GERB, i dha mbështetje propozimit francez për zgjidhjen e çështjes e zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Maqedonisë së Veriut. Por, po dje pasdite u rrëzua qeveria Petkov që nuk i mbijetoi një mocioni mosbesimi në Parlament.