Bota

Europë, vijon rihapja graduale pas lehtësimit të masave anti-COVID!

Ecuria e mirë e fushatave të vaksinimit dhe ulja e shifrave të infektimeve nga koronavirusi kanë bërë që në Europë, shumë vende të heqin kufizimet duke rihapur ekonomitë.

Në një shkallët me pesë nivele gatishmërie për pandeminë, Britania e Madhe zbriti në të tretën. Vendi më i goditur nga COVID-i në kontinentin e vjetër, nga 17 maji bëhet gati për një fazë të re lehtësimesh, të konfirmuar nga kryeministri Boris Johnson. Me një maksimum prej 6 personash, britanikët mund të takohen në vende të mbyllura ndërsa pub-et dhe restorantet do të jenë në gjendje t’u shërbejnë klientëve të tyre edhe brenda, jo vetëm jashtë.

Në Spanjë, prej tre ditësh i është dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme shëndetësore. Banorët mund të largohen nga rajoni i tyre ose të mblidhen në rrugë, në mbrëmje.

Në Gjermani, më shumë se 7 milionë të vaksinuar kundër koronavirusit po përfitojnë nga zbutja e rregullave të rrepta për parandalimin e virusit.

Në Milano të Italisë, mbrëmë u hap për publikun teatri i famshëm “La Scala”.

Ishulli mesdhetar i Qipros rihapi kufijtë për turistët e vaksinuar nga 65 vende ndërsa në Greqi të gjitha shkollat pritën nxënës pas mbylljes 6-mujore.

Edhe Irlanda është mes vendeve europiane që ka nisur të marrë frymë lirisht. Pas një izolimi disa mujor, lejohen udhëtimet brenda vendit dhe bizneset jo-thelbësore po funksionojnë normalisht.