Rajoni

Europride i organizuar nga LGBT+ në Serbi, përplasje e përçarje politike!

Duhej të ishte një Europride që të konfirmonte orientimin e qartë të Serbisë në mbrojtjen e të drejtave dhe të diversitetit, në të njëjtën linjë me rrugëtimin europian të vendit ballkanik, por kjo nuk ndodhi. Manifestimi i promovuar nga lëvizja LGBT+, i pari Europride i organizuar në një vend të Europës juglindore, përfundoi në kaos dhe jo vetëm në rrugët e Beogradit. Në nivel politik, përçarjeve nuk iu shpëtoi as qeveria.

Ministri i Brendshëm, Aleksander Vulin i njohur si filo-rus e kishte ndaluar turmën ylber, por për të sfiduar ata që mbajnë qëndrime anti-gay, kryeministrja Ana Brnabiç, lesbike e deklaruar dhe aktiviste, i dha dritën jeshile paradës me mijëra pjesëmarrës e të zhvilluar në prani të forcave të shumta policore. Shefja e qeverisë së Beogradit zgjodhi të mos ishte e pranishme, siç theksoi, preferoi të qëndronte me forcat e rendit, për t’iu dhënë mbështetje, si dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë manifestuesve.

Në gjithë këtë, nuk kaloi pa u komentuar mungesa e pranisë së presidentit serb, Aleksander Vuçiç, protagonist absolut i çdo ngjarjeje të rëndësishme në Serbi, por për Europride, nuk u shfaq duke mos shprehur mbështetjen e duhur për lëvizjen e të drejtave gay.

Pjesëmarrësit sfiduan shirat e vjeshtës e në mënyrë simbolike u mblodhën para Gjykatës Kushtetuese, që në disa vendime i ka cilësuar “të paligjshme” ndalesat për “Gay Pride”. Në disa pika të qendrës së Beogradit, grupe nacionalistësh homofobë, të mbështetur nga Kisha Ortodokse tregonin kryqe, ikona e të të tjera simbole fetare. Për të shmangur përplasjet, policia ndërhyri duke devijuar marshimin dhe përshpejtuar rrugën për në stadiumin e parkut Tasmajdan ku do të mbahej koncerti përmbyllës.

Në manifestimin e shënuar nga incidente e që çoi në ndalimin e dhjetëra personave të dhunshëm që provokuan të pranishmit, morën pjesë edhe eurodeputetë, ambasadorë të vendeve të ndryshme, në mbështetje të të drejtave e diversitetit, si dhe eurokomisionerja për Mundësitë e Barabarta, për të nxitur të ardhmen europiane të Serbisë.