Bota

Eurozona në recesion, Gjermania me nivelin më të lartë të inflacionit në rreth 70 vjet!

Inflacioni i çmimeve të konsumit në Gjermani u përshpejtua në nivelin më të lartë në tetor, që pas ribashkimit, sipas të dhënave përfundimtare të Zyrës Federale të Statistikave.

Inflacioni i çmimeve të konsumit u përshpejtua në 10,4% në tetor, nga 10,0% që ishte në shtator, duke regjistruar rritjen më të lartë të inflacionit në rreth 70 vjet.

“Shkaku kryesor i inflacionit të lartë është rritja e çmimit të energjisë. Por, gjithashtu ka patur rritje të çmimeve të shumë produkteve dhe shërbimeve të tjera”, tha Georg Thiel, presidenti  i Zyrës Federale të Statistikave.

Vetëm çmimi i energjisë u rrit me 43,0% krahasuar me vitin e kaluar si rezultat i luftës në Ukrainë, dhe pengesave të furnizimit. Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve u rritën me 20,3%.

Pa përfshirë energjinë dhe ushqimin, inflacioni ishte 6,5%. Çmimet e produkteve ishin 17,8% më të shtrenjta krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa ato të shërbimeve janë rritur 4,0%.

Inflacioni i harmonizuar me BE-në u përshpejtua në 11,6% krahasuar me 10,9% një muaj më parë.

Bazuar në projeksionet e Bundesbank, indeksi i harmonizuar i inflacionit të çmimeve të konsumit pritet të rritet mesatarisht në 7,1% në vitin 2022.

“Në terma mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0,9% sipas vlerësimit”, njoftoi zyra e statistikave.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit me 1,1% pas rritjes me 2,2% në shtator. Shifra përfundimtare përputhej me vlerësimin paraprak të publikuar më herët.

Objektivi kryesor i Bankës Qendrore Evropiane është të ruajë stabilitetin e çmimeve në eurozonë duke ulur inflacionin nën 2%.