Lancio Live From Tirana Music

Evi Reçi zbulon detaje dhe prapaskena të hiteve të saj muzikore

Shumë apo pak të gjithë jemi të apasionuar pas muzikës dhe sidomos atyre hiteve që na kthejnë pas në kohë në një periudhë të caktuar ku një këngë është bërë kolona zanore e kujtimeve tona. Here pas here në ‘Live From Tirana’ ne ftojmë këngëtarë shumë të dashur të publikut që ‘zbërthejnë’ hitet e tyre muzikore.

Në studio ishte sot bukuroshja Evi Reçi e cila bëri një retrospektivë të karrierës dhe të këngëve të saj më të bukura. Në këtë artikull do të zbuloni gjithçka që ajo tha!

Zhdukem Ngadalë (2011)

“Mund ta konsideroj të preferuarën time. Ka tekst shumë të bukur dhe është xhiruar në Firenze ku mund të them se aty ‘më ka dalë shpirti’. Tentova të provoj Italinë sepse Flori Mumajesi tha që më shkon. Gjithçka duhet të xhirohej me shpejtësi sepse video në fjalë ishte me super ‘slow motion’. Madje kam hipur edhe mbi një çati hoteli.”

Si Limonadë (2014)

“Kam dashur të bëj kaçurrelat si Whitney Houston te ky klip por nuk më shkonin. Është xhiruar tek Gjiri i Lalëzit dhe kam kërcyer për herë të parë. Kjo këngë ka një orkestrim shumë të bukur.”

Merr Guximin (2015)

“Këtu dëgjohet ndikimi që Stromae ka tek unë. Kam dashur gjithmonë të bëj një gjë të tillë. Pastaj, ‘fer fer fer ma bën fustani’ lindi shumë spontanisht. Mori jehonën e duhur por megjithatë unë prisja më shumë nga kjo këngë.”

Dorëzohu (2017)

“Këtu jam pak më ‘etno’ madje edhe në perfomancë kam marrë dy balerinë që kërcyen vallen e Dervishëve. Mbrapa kam vetratat e Kishës që shkrihen shumë mirë me perëndimin e diellit.”

Si Margjelo (2019)

“Këtë këngë e këndoja shumë shpesh Live, ka qenë një ndër të preferuarat e mia. Pastaj thash, duke qenë se e këndoj kaq shpesh përse të mos i bëj një tekst që të mos e këndoj gjithmonë si kover. U mundova që Margjelos t’i jap një fytyrë që njerëzit ta kuptojnë që ajo është një vajzë që thyen zemra.”

Tjerr (2020)

“Tjerr është pjesë e ‘Fest59’. Është një dedikim. Aty rrëfehen disa histori personale, private dhe për dhembjen e cila është diçka që na tjerr, që na tremb. Këtu mësojmë të mirëpresim dhembjen, ta përjetojmë atë.”

Me Ty Pa Ty (2007)

“Në atë kohë unë kam qenë në Greqi dhe me zor flisja shqip. Kjo këngë është bërë nga Adrian Hila dhe mu bë ftesa që të merrja pjesë me këtë këngë në ‘Top Fest’, kjo ka qenë pjesëmarrja ime e parë. Kam qenë 16-vjeçe.”

Zjarr i Harruar (2007)

“Është bukur sepse teksi i kësaj kënge është e kundërta e muzikës. Asokohe kam lëvizur shumë, nga Greqia drejt Anglisë dhe më pas u drejtova në Itali. Kam eksperimentuar shumë.”

Ëndërr e Etur (2008)

“Kam një ndikim ‘pink’ këtu, ishte faza kur kam filluar të gjej veten. Kam qenë 18-vjeçe dhe sapo kisha shkuar në Itali. Mesa mbaj mend mora edhe një çmim “Best Alternative” për këtë këngë.”

Jeton tek Ti (2007)

“Kjo është një këngë identifikuese e imja.”

I Ngjan Asaj (2010)

“Teksa ishim duke ndenjur tek studio e Florit provuam një demo dhe kështu lindi ‘I ngjan asaj’. I thash Florit që më pëlqente shumë kjo këngë ishte romantike dhe i kërkova që ta kishim si bashkëpunim të dy.”

Dhe Jemi Të Dy (2010)

“Këngën ma nisi Flori si demo vonë natën i emocionuar për këtë të. Teksi është i tij dhe i Ardit Roshit. Klipi ishte shumë i veçantë për kohën. Klipi është bërë në një ashensor në Prishtinë dhe skena e mbylljes së ashensorit është punuar me shumë sekuenca në post produksion.”