Sport

F1, sot gara e Botërorit në Budapest për Çmimin e Madh të Hungarisë!

Nga sot ora 15:00, Hungaria pret garën e 13-të të sezonit në Kampionatin Botëror të Formulës 1 e në këtë ditë të fundit të muajit korrik, “shndërrohet” në stacionin e radhës së kompeticionit të njohur me makina. Çmimi i Madh i Hungarisë zhvillohet me 70 xhiro në Pistën Hungaroring, e gjatë 4.3 kilometra, në kryeqytetin hungarez Budapest. Provat zyrtare u mbajtën një ditë më parë.

George Russell fitoi “pole position” për Çmimin e Madh të Hungarisë, si dhe të parin gjatë karrierës. Piloti britanik u parapriu dy makinave Ferrari, me Carlos Sainz, i cili pritet të startojë përkrah tij në rreshtin e parë dhe Charles Leclerc, hap të dytin. Koha e katërt më e mirë u shënua nga Lando Norris, ndërsa zhgënjeu Red Bull, me Verstappen, i cili starton i 10-ti (për shkak të problemeve me humbjen e fuqisë në Q3) dhe Perez i 11-ti.

Një garë kualifikuese me një fund surprizë nga ata që deri më tani nuk kishin arritur të merrnin asnjë “pole position”. Super George Russell-i, “rrëmbeu” skenën në Hungaroring me Mercedes-in e tij. “Princi” befasoi dy makinat Ferrari.

Ndërkohë, në një tjetër zhvillim nga bota e Formulës 1, kampioni i katërfishtë, Sebastian Vettel tha se do të tërhiqet në fund të sezonit, për të kaluar më shumë kohë me familjen.

Vettel fitoi titujt e Formulës 1 nga viti 2010 deri më 2013-ën me ekipin Red Bull, ndërsa titulli i tij i fundit ishte me skuadrën e Ferrarit, më 2019-ën. Këtë sezon me Aston Martin, piloti gjerman nuk regjistroi ndonjë sukses të rëndësishëm dhe arritja më e mirë për 35-vjeçarin ishte vendi i gjashtë.

Vendimi ka qenë i vështirë për mua dhe kam kaluar shumë kohë duke menduar. Në fund të vitit dua të marr pak më tepër kohë për të reflektuar mbi atë se ku do të fokusohem për të ardhmen. Për mua është shumë e qartë se duke qenë baba, dua të kaloj më shumë kohë me familjen time.