I ftuar në “Live From Tirana” ka qenë artisti Fabian Basha, një nga ish-anëtarët e grupit të njohur dhe shumë të dashur muzikor, Produkt 28. Ai ka folur më shumë mbi famën dhe menaxhimin e saj. Si ndikon fama tek VIP-at në botë, por dhe në Shqipëri?
A keni menduar që të rikthehet Produkt 28 si grup?
Absolutisht. Jemi në kohën e rikthimeve. Jemi mbledhur në studio, kemi bërë disa sesione, një lloj pune paraprake ka nisur. Mbetet për t’u parë se si do të rakordohemi me gjithë impenjimet që kemi secili. Ai është problemi i vetëm. Se dëshira e mirë ekziston nga të gjithë, energjia është. Është thjesht çështja e kohës. “Produkt 28” është si fëmijë i yni dhe ne i detyrohemi shumë atij emri që na ka dhënë aq shumë. Dhe nuk mund ta rikthejmë Produkt 28 për ta shfrytëzuar. Nëse Produkti rikthehet, rikthehet me materiale të reja, me ne të tre pjesëtarët në një epokë tjetër, me mendime të tjera, besnikë të ndjesive tona.