Art & Kulturë Sot Nuk Është e Hënë

“Fajin ma ka gjuha”, një cikël tregimesh mbi dashurinë dhe jetën!

Një tjetër libër i përzgjedhur nga Koloreto për episodin e rradhës të “Sot Nuk Është e Hënë”. Bëhet fjalë për “Fajin ma ka gjuha” nga autori i njohur Virgjil Muçi. Në Panairin e Librit 2021 shkrimtari Virgjil Muçi është vlerësuar me çmimin e autorit më të mirë për vëllimin me tregime.

Titulli “Ma ka fajin gjuha” kërkon të nxisë dialogun në shoqëri, ndërsa për Muçin, vetë libri është për rrezikun që sjell fjala. Shpesh njerëzit janë gjykuar e janë dënuar më shumë për atë që kanë thënë se sa për atë që kanë bërë. Gjuha është si një thikë më dy presa, që pret në dy krahët.

Tregimet që prekin kufijtë e legjendave i qasen hera-herës edhe historive të njohura si Orfeu dhe Euridiçja, duke trajtuar ndërkaq, edhe tematikat e Dantes si Ferri e Parajsa. Vetë tregimet e librit janë në stilin e përrallave të “1001 netëve”. Ato janë bazuar kryesisht edhe në disa elementë të folklorit shqiptar.

Në pjesën e pasme të kopertinës tregohet që ky cikël tregimesh fantastike është pjesë e një triologjie narrative që zë fill me “Përrallat Shqiptare”, vazhdon me “Erotikonin dhe Satirikonin” dhe përmbyllet, me “Fajin ma ka gjuha”. Libri “Fajin ma ka gjuha” përmban 14 tregime dhe 1 novelë. Ilustrimet mjeshtërore të Ardian Kapos i japin hijeshi të veçantë.

Muçi është autor i më shumë se 10 librave dhe përkthyes i 13 titujve të autorëve të mëdhenj, si fitues i çmimit Kadare në vitin 2018. Në Panairin e Librit 2021, shkrimtari Virgjil Muçi u shpall më i miri nga juria që vlerësoi mbi 100 prurje të reja në letërsinë shqiptare gjatë këtij viti, pikërisht për vëllimin e tij me tregime “Fajin ma ka gjuha”.

Muçi rrëfeu se marrëdhënia e tij me prozën popullore është një dashuri e vjetër, një marrëdhënie që sipas tij është pasuruar ndër vite duke u bërë gjithnjë e më prodhimtare. Autori shpjegoi për publikun metodologjinë e punës së tij me përrallat për të cilat tha se ishte frymëzuar nga takimi me shkrimtarin italian Italo Calvino. Sipas shkrimtarit, rrëfimtarët e përrallave ndër vite kanë qenë mendje të sofistikuara, talente të jashtëzakonshme që i kapërcejnë kufijtë e përkufizimit të gabuar si anakronizëm.