Aktualitet

Familjet në 2020 shpenzuan 41% të buxhetit vetëm për ushqime!

Shpenzimet e familjeve për konsum në vitin e kaluar u rritën me 1.5% dhe peshën më të madhe vijon ta mbajnë shpenzimet për ushqime.

Sipas të dhënave të INSTAT shpenzimet mesatare mujore të familjeve në vitin e kaluar ishin 530,5 milionë euro, nga të cilat 41.6% ose 220,7 milionë euro ishin vetëm për ushqime dhe pije joalkoolike, me rritje krahasuar me 2019, për shkak të shtrenjtimit të shumë produkteve në karantinë.

Eksperti për çështjet e bujqësisë Ilir Pilku thotë se mungesa e masave rimbursuese në vitin e kaluar, po rrit kostot dhe çmimet për qytetarët këtë vit.

Pandemitë nuk kanë ndodhur në 2019 për herë të parë por kanë ndodhur prej 100 vjetësh dhe situata pas pandemisë është më e rëndësishme për të vendosur fokusin e mbështetjes dhe të politikave bujqësore, kryesisht duhet të ishte subvencionimi i grurit, i misrit që janë produktet e shportës. Flasim për ndërtimin e një shporte që bazën e ka hekur ka rritje të kostos, nëse shlyerja e investimit bëhej për 6-7 vite tashmë duhen 8-9 vite sepse janë rritur kostot”, pohon Pilku.

Sipas INSTAT, nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë “mish dhe nënprodukte” me 23,7 %, “perimet” me 16,8 %, “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 13,8 %, ndjekur nga “frutat” me 9,6 %.

Ndërkohë shtrenjtimi i ushqimeve vijon edhe këtë vit i përqendruar tek shporta e konsumit, si buka, frutat e perimet.

Në vitin e kaluar janë rritur po ashtu shpenzimet për shëndet, si pasojë e COVID-19, dhe sipas INSTAT ka pasur një bum kërkese për vitamina.

Shpenzimet e bëra në grupin “Shëndet” në vitin 2020 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 28%, krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “vitamina”, thuhet në raportin e INSTAT.

Ndërsa sa i takon argëtimit e kulturës, si dhe të veshjeve e këpucëve shpenzimet janë reduktuar me 26% dhe 9.7%.