Aktualitet Politikë

Fasha e energjisë, Berisha: Rama tallet me qytetarët!

Deklaratat e sotme të kryeministrit Rama se “nuk është hequr, por shtyrë”, vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për fashën mbi 800kWh, për kryedemokratin Berisha është “tallje e Ramës me popullin”.

Dje tha e hoqa fashën, sot thotë nuk është hequr. Sikur energjinë e nxjerr nga shtëpia  e tij dhe i trajton shqiptarët si askush tjetër. Ku ka rekorde botërore cinizmi?! Kullën 14 kate pa leje nuk e sheh, i duhet sateliti për ta parë. Nëse ka njeri që po tallet me këtë popull që po shpërbëhet në qendër të tij është Edi Rama.

Duke folur sot para anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha theksoi rëndësinë e primareve e deklaroi se “duhet të jenë të hekurt në zbatimin e statutit”, si “shprehje luajaliteti” ndaj anëtarëve që i kanë votuar dhe simpatizantëve.

Grupi i punës bëri një punë intensive. Por, grupi i punës pati një fat sepse bazuar në të gjithë veprimtarinë, ne miratuam një statut bashkërisht. Dhe statuti ynë është statuti që ndryshon PD-në. E paraqet atë si një forcë tjetër politike para shqiptarëve.

Prandaj ngado që sillemi, ne kemi vetëm një alternativë: të zbatojmë statutin e votuar nga Kuvendi i PD-së. Ky është një kusht themelor. Statuti është Kushtetuta për të mos ndryshuar rrugën dhe për të mos u kthyer siç kemi qenë.

Shpesh u takon të dëgjoni, që këtë ta marrë Kryesia, atë ta marrë Kryesia. Po të ecim kështu, ne shkojmë drejt autokracisë.  Çfarë i mbetet anëtarit? Vetëm të duartrokasë. Ne do i lëmë pushtetin anëtarit të PD-së dhe ky është përcaktimi i statutit tonë. Ne do të zbatojmë statutin si kushti i kushteve për të qenë nesër garanci e zbatimit të shtetit ligjor. Për të mos u thënë shqiptarëve se kullat nuk i shoh me sy, por do t’i shoh më satelit.

Anëtari i Këshillit Kombëtar, Aleksandër Biberaj, tha se “duhet aksion politik” dhe se “kjo qeveri duhet të rrëzohet me çdo kusht”.

Rama dhe banda e tij nuk mund të rrëzohen me konferenca shtypi, por të kemi axhendë e qartë për protesta dhe aksionet e tjera që do të ndërmerren.

Berisha deklaroi se “PD-ja e ka për detyrë kryesore organizimin e revoltave të fuqishme paqësore, në kohën më të parë të mundshme”.

E ritheksoj se veprimtaria e PD-së është e duhet të jetë detyrimisht shumëplanëshe. Duke u përqendruar me të gjithë potencialin e saj në organizimin, në aktivitetet e lidhura me primaret, për detyrë kryesore ka organizimin e revoltave të fuqishme paqësore dhe në kohën më të parë të mundshme.

As nuk është hequr dorë, as nuk do të hiqet. Përkundrazi, po punohet dhe do të punohet me intensitet.

Do të bëhet gjithçka për të bashkërenduar këtë aktivitet me të gjithë faktorët e rëndësishëm të Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë, me sindikatat, me të tjera forca politike.

Nuk ka asnjë lloj ndryshimi në mendim se kjo betejë duhet të nisë sa më parë.