Rajoni

Fati i qeverisë bullgare, vendoset sot nga Parlamenti!

Vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, qeveria e koalicionit bullgar e kryesuar nga Kirill Petkov përballet sot me një mocion mosbesimi, duke shkaktuar paqëndrueshmëri të re politike në shtetin anëtar më të varfër të BE-së. Mocioni i mosbesimit u ngrit nga partitë opozitare mbi “dështimin në politikën financiare dhe ekonomike të kabinetit aktual”.

Deri tani, mbështetje për mocionin e mosbesimit kanë shprehur edhe partitë e tjera opozitare, ai ajo e turqve etnikë dhe myslimanëve, Lëvizja për të Drejtat e Liritë, partia nacionaliste “Vëzrazhdane”, si dhe partia e Sllavi Trifonovit “Ka një popull të tillë” (ITN), që u largua nga koalicioni në pushtet.

Votimi pritet pas orës 19:00 me atë lokale. Mocionit i duhen 121 vota dhe aktualisht, koalicioni qeverisës ka mbështetjen e vetëm 109 nga 240 deputetë. Gjashtë ligjvënës nga grupimi ITN “Ka një popull të tillë” pritet të mbështesin qeverinë, por për të mbajtur pushtetin, e vetmja shpresë e saj varet nga mundësia që më shumë deputetë të ITN-së të votojnë kundër rrëzimit të kabinetit Petkov, në minutën e fundit. Nëse mocioni arrin sukses do të jetë votimi i parë i mosbesimit në historinë demokratike të Bullgarisë e me siguri do të çojë në zgjedhje të reja në vendin me 6.5 milion banorë.

Në pushtet, Qeveria e Petkovit erdhi me zotimin për të luftuar korrupsionin e për të shkarkuar kryeprokurorin Ivan Geshev dhe kreun e Komisionit Anti-korrupsion, Sotir Tsatsarov. Po ashtu u zotua se do të forconte fuqitë e këtij komisioni. Dorëheqja e Tsatsarovit erdhi e para.
Më 9 qershor, një projektligj për të zgjeruar fuqitë e Komisionit Anti-korrupsion u dorëzua në Parlament. Deputetët e partisë “Ka një popull të tillë” kishin kritika të ashpra dhe akuzuan Petkovin se po tenton të caktojë “Geshevin e tij”. Ligjvënësit nga partia “Ne vazhdojmë ndryshimin”, e panë këtë si sulm politik nga ish-partnerët e koalicionit dhe i akuzuan se po sabotonin përpjekjen.

Ndërkohë, Komisioni i Politikës së Jashtme i Parlamentit të Bullgarisë, sot do të shqyrtojë edhe propozimin francez për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Maqedoninë e Veriut. Në bazë të vlerësimeve do të njoftohet nëse Sofja do ta heqë apo jo veton, gjë që ka bllokuar dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Bullgaria e MV përplasen për çështje të karakterit historik. Një ditë më parë, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, paralajmëroi lajme pozitive lidhur me negociatat.