Bota

Fauci: “Në dhjetor mund të fillojë vaksinimi anti-COVID në SHBA e Itali”

Në dhjetor mund të nisin vaksinimet e para kundër COVID-it në Shtetet e Bashkuara por njëherazi dhe në Europë, madje në Italinë fqinje. Kryeimunologu amerikan, Anthony Fauci jep edhe datën e fillimit të mundshëm të vaksinimit mes 12 e 15 dhjetorit çka mbetet të shihet. Deri tani, testet e vaksinave të kompanive amerikane “Pfizer” e “Moderna” kanë dhënë 95% efektivitet në parandalimin e koronavirusit.

Në fazë testimi, edhe ajo e Oksfordit që pritet ta marrë Shqipëria rezultoi 70% efektive, si dhe shumë më e lirë, më e lehtë për t’u ruajtur e më e aksesueshme në botë krahasuar me dy të tjerat. Por OBSH-ja thotë se lajmet për afrimin e vaksinës nuk duhet të na bëjnë të shkujdesur lidhur me masat. Sipas shefes për Çështjet Teknike, Maria Van Kerkhove, “Gjëja më e mençur është të shmangen grumbullimet për drekat e darkat familjare për Krishtlindje”.