Bota

FDA i jep dritën jeshile dozave përforcuese të vaksinave anti-COVID në Amerikë!

Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet, FDA, autorizoi dhënien e vaksinës përforcuese kundër koronavirusit, për disa kategori të popullsisë, përfshirë personat mbi 65-vjeç.  Përmes një vendimi që ishte i pritshëm, FDA-ja dha autorizim për përdorimin emergjent të vaksinës së prodhuar nga kompanitë Pfizer&BioNTech.

Doza përforcuese rekomandohet për njerëzit mbi 65-vjeç, të rinjtë me probleme shëndetësore dhe personat, puna e të cilëve i vë në rrezik nga koronavirusi. Në këtë kategori përfshihen punonjësit shëndetësorë e ata në dyqane, si dhe mësuesit e personat që punojnë në burgje. Miratimi nga rregullatori amerikan i dhënies së dozave përforcuese erdhi pasi një panel i pavarur ekspertësh i hapi dritën jeshile për personat më të rrezikuar nga COVID-i.

Autorizimi i Administratës Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet, nuk është në përputhje me planet e presidentit Joe Biden që dozën e tretë të vaksinës ta marrin pothuajse të gjithë amerikanët. Vendimi për dozën e tretë vlen vetëm për vaksinën e kompanive Pfizer&BioNTech. Më vonë do të vendoset për ato përforcuese lidhur me të Modernës apo Johnson&Johnson-it.

Një ditë më parë, Biden njoftoi blerjen e 500 milion dozave të tjera të vaksinave kundër COVID-19 për vendet në zhvillim, gjatë vitit të ardhshëm. Më herët, Shtetet e Bashkuara ofruan më shumë se 500 milion doza vaksinash të prodhuara nga firmat Pfizer Inc. dhe BioNTech SE për vendet në zhvillim deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm. Me njoftimin e së mërkurës, Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë botës 1 miliard doza në total.

Amerika mbështet objektivin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të vaksinuar të paktën 70% të popullatës në botë, brenda vitit të ardhshëm. Kjo duke shfrytëzuar njoftimin për të inkurajuar vendet e tjera më të pasura, të shtojnë përpjekjet për të kontrolluar infektimet.

Në shkallë globale, gjatë vitit të kaluar, janë administruar më shumë se 5.9 miliard doza ose rreth 43% e popullsisë së botës. Por, pabarazitë e mëdha në shpërndarje kanë bërë që shumë vende me të ardhura më të ulëta të luftojnë për të vaksinuar qytetarët e tyre më të rrezikuar. Udhëheqësit botërorë dhe organizatat globale kanë shtuar kritikat ndaj pabarazisë e ritmit të ngadaltë të vaksinimeve. Pavarësisht ndihmës amerikane për vendet e tjera, ata janë ankuar se kjo ka qenë e pamjaftueshme, veçanërisht pasi Shtetet e Bshkuara po nxisin marrjen e një doze përforcuese për amerikanët, para se njerëzit e rrezikuar në vendet më të varfra të marrin dozën e tyre të parë.