Bota

FDA-ja amerikane, drejt miratimit të dozës së tretë të vaksinave anti-COVID!

Në Administratën Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet, FDA, një panel i pavarur përkrahu dhënien e dozave përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga Pfizer&BioNTech. Por kjo vetëm për amerikanët më të moshuar edhe ata që janë më të rrezikuar, për shkak të imunitetit.

Ndonëse rekomandimi nuk është detyrues, udhëzimi i panelit përbën dallim nga plani i presidentit Joe Biden, për të ofruar doza shtesë për pothuajse të gjithë amerikanët.
Rregullatori amerikan, FDA që zakonisht zbaton këshillat e panelit, pritet të marrë vendimin zyrtar javën e ardhshme. Ekspertët thanë se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për dozat përforcuese e vunë në pikëpyetje dhënien e vaksinave shtesë për të gjithë, në vend që ato të ndahen vetëm për grupet më të cënuara.

Përmes një votimi unanim, paneli vendosi që çdo person mbi 65-vjeç dhe ata që janë në rrezik më të madh, të marrin dozën e tretë, gjashtë muaj pas të dytës. Ndonëse disa kërkime kanë treguar se efekti i vaksinës zbehet pas një kohe dhe dozat përforcuese mund ta ndalin këtë gjë, vaksina e Pfizer-it mbetet tejet efektive kundër formës së rëndë të sëmundjes. Paneli e mbajti parasysh një gjë të tillë kur deklaroi se “doza shtesë nuk është e nevojshme për popullsinë e përgjithshme”.

Pfizer ka thënë se është e rëndësishme të përforcohet imuniteti kundër COVID-19, para se të zbehet tërësisht. Kompania bëri të ditur se të dhënat nga testimet klinike treguan se efekti i vaksinës është zbehur me gati 6% çdo dy muaj, pas marrjes së dozës së dytë.

Një “det” me mbi 650 mijë flamuj të bardhë për të kujtuar viktimat e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është instalacioni i artistes Suzanne Brennan Firstenberg i përuruar në National Mall në Uashington, para simbolit të obeliskut të kryeqytetit. Në flamujt, të cilët do të jenë të dukshëm për 17 ditët e ardhshme, familja dhe miqtë e atyre që humbën betejën me koronavirusin, mund të shkruajnë mesazhe.

Nga fillimi i pandemisë, një në 500 amerikanë ka ndërruar jetë nga COVID-i.