A Live Night Celebrities Gossip Showbiz

Fëmijëria dhe familja, Alban Skënderaj në një rrëfim si kurrë më parë në ‘A Live Night’!

‘A Live Night’ erdhi edhe këtë të shtunë me një nga artistët padyshim më të dashur të publikut. Jo vetëm për muzikën dhe artin e mirë që sjell, por Alban Skënderaj ka ruajtur gjithmonë një imazh shumë të pëlqyer nga audienca të të gjitha moshave prej vitesh. Këngëtarin dhe producentin e kemi parë shumë rrallë në dalje televizive apo intervista, ndaj kjo e ‘A Live Night’ ka rrëfime shumë speciale dhe të padëgjuara  më parë nga artisti.

Fillimisht, intervista e Albanit nisi me fëmijërinë e tij, prezantimin e familjes dhe marrëdhënien që ka me ta, duke ndarë me ne disa detaje shumë interesante.

Unë i përkas atyre njerëzve që kanë shumë dëshirë ta kthejnë kokën mbrapa dhe të ndihen mirë për gjërat që kanë lënë pas, unë kështu jam . Jetoj të tashmen, por jetoj shumë dhe të shkuarën dhe të ardhmen, vazhdimisht udhëtoj mes të shkuarës dhe të ardhmes, kështu që prandaj kam shumë përgjegjësi çfarë bëj sot, sepse e di që do ta përjetoj sërish në një ditë në të ardhmen. Fëmijëria ime ka qenë fëmijëri shumë e zakonshme e viteve ’80-’90. Kanë qenë vitet më të vështira për Shqipërinë. Nuk mbaj mend fëmijë të ketë qenë në kushte super të mira, të gjithë përshtateshin. Mbaj mend që dëshira për të luajtur ishte e madhe, por lodrat ishin pak. E kujtoj si një fëmijëri të bukur në kuptimin e kreativitetit, sepse i jepte mundësinë fëmijëve të sajoheshin. Për vitet ’80 shumë e bukur, për vitet ’90 e bukur, por edhe e trazuar, shumë e vështirë. Kan qenë shumë të vështira dhe të duhej të ishe fëmijë, por dhe i rritur. Babi ka qenë ushtarak, ka qenë burrë shpirtëror, shumë i dhënë pas letërsisë, por jeta, puna e solli që të jetë një oficer. Kjo te ne ka sjellë faktin që duhet të lëviznim shpesh. Ne jemi formuar si familje në Vlorë, dy vëllezërit e mi janë lindur në Vlorë, dy të mëdhenjtë. Unë kam lindur në Lushnje, ku jetuam disa vite dhe kam kujtime shumë të bukura nga ai qytet dhe pastaj u rikthyem në Vlorë ku lindi vëllai im më i vogël. Pastaj u spostuam në Itali. Jeta jonë nuk ka qenë më shumë se 7-8 vite në një vend do thoja unë. Marrëdhëniet me vëllezërit janë shumë të mira dhe është fat i madh që ne jemi shumë të ngjashëm. Nuk jemi pak fëmijë, por fatmirësisht si natyra jemi të ngjashme në të mirat dhe po them në ato problematikat tona. Jemi të ndjeshëm, jemi të arsyeshëm, jemi tolerant, sa jemi dhe pak solitar si natyra. Nuk jemi si ata vëllezërit që dëgjohen çdo ditë, por e kemi marrëdhënien me njëri-tjetrin shumë të pastër. Unë jam një kombinim i të dy prindërve, vëllzërit njëri plus njëri minus anojnë pak më shumë nga tjetri. Unë jam një kombinim i të dyve, nga babi kam marrë dëshirën për art, dëshirën dhe nevojën për t’u thelluar në mendime, nga mami ndoshta kam marrë pjesën e një ndjeshmërie tjetër, nuk di si ta shpjegoj, ajo ka qenë sa e dashur dhe e fortë, sa e ndjeshme dhe e brishtë aq edhe stoike. Ky është një kombinim që unë herë pas here e vë në veprim në jetë dhe kjo më kujton shpeshherë atë.