Aktualitet

Ferma e kanabisit në Berat, sot masa e sigurisë për 11 të arrestuar/Alarmin e dha një punëtore!

Lidhur me serrën ku përpunohej kanabis në fshatin Kutalli, 11 të arrestuarit nga zona të ndryshme të vendit sot u dërguan në mjediset e Gjykatës së Beratit, që të njihen me masën e sigurisë. Mes tyre janë dy gra, që rekrutonin punëtore e të cilat po hetohen në gjendje  të lirë. Në pranga ranë shtetasit Jurgen Ujkaj, Bashkim e Edison Mema, Sidrit Bisha, Endrit e Blerim Xheka, Mirvaldo Disha, Samuel Lushaj, si dhe Drita e Izmira Mema, nënë e bijë.

Tre ditë më parë, policia zbuloi një fermë kanabisi, ku thahej e pastrohej bima narkotike nga 95 të punësuara nga Fushë-Kruja e Lezha, të cilave iu ishte thënë se do të mblidhnin ullinj. Gjatë operacionit policor u sekuestruan rreth 875 kg kanabis. Lënda narkotike vinte me furgon dhe punëtoret e pastronin, e paketonin para se furgoni ta merrte përsëri.

Serra në të cilën u ndërtua kapanoni e ku përpunohej lënda narkotike rezulton në pronësi të shtetasit Hamdi Dyli. Ambientet ishin ndarë në katër pjesë, secila nga dy dynym. Çdo ditë, 95 vajzat e gratë e punësuara pastronin lëndën narkotike të tharë e që ua sillnin me furgon. Punëtoret e moshave të ndryshme, nga 16 e deri 65 vjeçe, thanë se nuk janë punësuar në të njëjtën kohë. Pjesa më e madhe punonin prej 20 ditësh. Pagesa ditore ishte në shumën 5 mijë lekë të vjetra.

Policia u vu në lëvizje pas denoncimit të familjarëve të njërës prej tyre, e cila ankohej se u sëmur nga ajri i rëndë në mjediset e punës. Pas pikasjes së vendit, një person u infiltrua si punëtor. Për aktivitetin kriminal në serrën me sipërfaqe 8 dynym, policia kishte informacion prej një muaji, ndërsa nuk ka indicie të përfshirjes së efektivëve nga radhët e uniformave blu në këtë aktivitet. Ndërkohë, ende është në kërkim shtetasi i dyshuar si kultivues i bimëve narkotike, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.