Rajoni

Ferri i zjarreve në Greqi, boshatiset ishulli Evia dhe rrëzohet një avion zjarrfikës!

Nuk ndalen zjarret që po shkatërrojnë zona të tëra në Greqi ku qindra zjarrfikës po i luftojnë me avionë, helikopterë e përforcime nga jashtë.

Beteja me flakët ka hyrë në ditën e 13-të por vala më e rëndë e të nxehtit në 30 vite, e vështirëson punën. Temperaturat kanë shkuar deri në 45 gradë celcius.

Përpjekjet janë përqëndruar në katër vatra të mëdha, njëra prej tyre në Evia ku nuk ka mbetur më gjë. Mijëra vetë u evakuan nga tre fshatra të ishullit ku sipërfaqe të tëra me pyje u shkrumbuan.

Drejtuesit lokalë grekë hodhën akuza se nuk do të ishin në këtë pikë po të veprohej në kohë e të dërgohej ndihmë e mjaftueshme. Sipas tyre, “dëshpërimi ka arritur kulmin”.

Ndërkaq, falë angazhimit të vazhdueshëm, disi më e qetë paraqitet gjendja në veri të Athinës. Në disa raste, rrugët bëhen të pakalueshme nga rrëzimi i pemëve e shtyllave elektrike.

Po në Greqi, një avion zjarrfikës u rrëzua gjatë operacioneve për të shuar një zjarr në ishullin Zakynthos. Fatmirësisht, piloti mbijetoi.