Aktualitet

Festat rëndojnë trafikun në Tiranë, shefi i rrugores Qibini flet për masat/Apel për parkimet!

Afrimi i natës së ndërrimit të viteve shton fluksin e lëvizjes të mjeteve, që për Tiranën bëhet edhe më e ndjeshme. Komisariati i Qarkullimit Rrugor në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë Vendore Tiranë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka bërë një organizim të shërbimeve 10 ditë para festave të fundvitit. Fokusi, lirshmëria e trafikut. Për Top Albania Radio-n, shefi i Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore, Besmir Qibini u shpreh:

Të gjitha shërbimet e qarkullimit rrugor, në 100% të kapacitetit të tyre janë fokusuar për të garantuar fluks sa më normal, shfuqizimin herë pas here të semaforëve kur ka ngarkesë dhe kjo duket në të gjitha akset problematike ku ka punonjës të Policisë të Qarkullimit Rrugor, kësaj here në bashkëpunim edhe me punonjës të Policisë Bashkiake.

Në disa nyje kryesore të Tiranës ka edhe fluks këmbësorësh e në dallim nga herët e tjera kemi bërë një organizim ndryshe, duke bërë edhe një studim të rrugëve të reja të shtuara, që është Unaza Lindore, disa nyje të reja e ka ndryshuar edhe dimensioni i trafikut në qytetin e Tiranës. Kësaj radhe ndryshe nga herët e tjera kemi vënë punonjës policie në vende ku më parë nuk ishin organizuar, bazuar në fluksin e lëvizjes.

Ka ngarkesë, por ka rrjedhshmëri të trafikut. Nëse raportohet një problem apo shqetësim për trafikun, ne kemi krijuar grupe të veçanta.

Tiranën e kemi ndarë në dy pjesë dhe atje ku sinjalizohemi se kemi trafik të rënduar, grupe emergjente të qarkullimit rrugor, të përbërë nga 2-3 punonjës policie, kalojnë menjëherë për normalizimin e trafikut.

Parkimet dyshe të mjeteve, bëhen shkak për rreth 60% të trafikut në Tiranë. Akoma për fat të keq nuk kemi një sensibilizim nga qytetarët që të jenë racionalë në parkimin e mjetit.

Edhe mënyra e kalimit në rrugë nga këmbësorët duhet të bëhet në grup, jo në mënyrë të vazhdueshme nga një person.

Masat për shkeljet determinante do të jenë të patolereshme:

Te këto shkelje përfshihen përdorimi i alkoolit, rripi i sigurimit, shpejtesia, kaskat, mosrregullimi i shpejtësisë në zona të banuara.