Art & Kulturë

Festivali i 18-të Ndërkombëtar Vokalistik “Marie Kraja” ngjitet në skenën e TKOB, pas dy vitesh mungesë për shkak të pandemisë!

Festivali Ndërkombëtar Vokalistik “Marie Kraja” rikthehet pas dy vitesh mungesë për shkak të pandemisë dhe vjen këtë herë në edicionin e 18-të, ku do të ngjitet në skenën e TKOB në datat 29-30 mars. Në datë 28 mars do jetë nata e parë pa publik, vetëm me jurinë. Festivali “Marie Kraja” përgjatë do netëve do të presë 16 pjesëmarrës nga 4 kontinente, ku çdo konkurrent ngjitet në skenë me një arie, nga më të njohurat e repertorit botëror dhe një këngë lirike. Kujtojmë se trofeu i festivalit “Marie Kraja” në edicionin e shkuar, prill 2019, udhëtoi drejt Koresë së Jugut, ku triumfoi tenori Dongo Kim mes 15 konkurentëve nga e gjithë bota. Të ftuar në “Wake Up” kanë qenë gazetarja Iva Tiço dhe ish-Drejtori i Prodhimit të TKOB, Klevis Saliaj për të na folur më shumë lidhur me këtë organizim.

Rikthehet pas dy vitesh mungesë për shkak të pandemisë Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja”. Si e pritet këtë lajm, duke marrë parasysh që ky festival është shndërruar në traditë tashmë?

Klevis: Në fakt edhe në edicionin e 17-të, kishte shumë mungesë. Ne donim ta bënim edhe vitin e kaluar online, por juria nuk ra dakord sepse donin ta dëgjonin live. Jemi në ditët e nxehta të festivalit. Ka pasur shumë pjesëmarrës këtë vit.

Iva: Unë po merrem me PR e festivalit. Qershia mbi tortë kwtw vit është bërë këngëtarja e Ukrainës. E kanë vënë në ‘shënjestër’ të gjithë mediat për ta intervistuar. Unë i jam bashkuar stafit dhe po bëhet një punë shumë impenjative. Nuk është vetëm një konkurs që ka një fitues, por janë dy netë shumë të bukura ariesh dhe këngësh. Çdo konkurrent ka një arie dhe një këngë. Do të jenë dy netë koncertale shumë të bukura.

Si e kujton Iva festivalin e parë “Marie Kraja”?

Tek festivali i parë unë sapo kisha filluar punë, ishte diçka shumë e rrallë. Ishte diçka e padëgjuar, një festival i muzikës operistike. “Marie Kraja” në atë vit ishte një festival kombëtar, por dalëngadalë mori përmasa ndërkombëtare shumë të mëdha.

Klevis përse është menduar që në datë 28 do të jetë nata e parë pa publik, vetëm me jurinë?

Juria e ka dëgjuar normalisht çdo pjesëmarrës. Në botën operistike është e tmerrshme, sepse mjafton të kesh një ngecje dhe gjithçka shkatërrohet. Nuk është hera e parë që bëhet, kështu ka qenë gjithmonë. Juria merr kohën e vet për të krijuar idenë e tyre.

Si janë konceptuar dy netët e festivalit? Çfarë surprizash na presin?

Klevis: Të dyja netët e festivalit kanë qenë njësoj gjithmonë. Festivali ka një traditë që e mban gjithmonë. E vetmja diferencë janë çmimet si dhe nata finale ka më pak konkurrent. Performacat do të jenë njësoj në të dyja netët, është e rëndësishme që publiku ta dijë këtë. Le të themi që kemi pasur mall për të pasur të tillë organizimi prandaj e kemi menduar kështu.

Iva: Ajo që është e re është trupa e baletit, do të ketë prurje të reja. Trupa po ‘rifreskohet’ shpesh dhe publiku mund të shohë trupën e re. Kjo është dhe një përgjigje për të gjithë ata që thonë: “çfarë po prodhon shkolla e baletit, ku shkojnë të gjithë ata që mbarojnë studimet e tyre aty?”