Sport

Feston fitoren e Romës duke ngrënë pizza në tren/ Murinjo po bëhet ylli i ri i kryeqytetit italian.

Roma vazhdon ecurinë pozitive nën drejtimin e Murinjos teksa mbrëmjen e djeshme verdhekuqtë arritën një fitore të shkëlqyer 0-4 përballë Salernitanës duke arritur kuotën e 6 pikëve në 2 ndeshje.

Loja e kryeqytetasve ka ndryshuar ndjeshëm nën urdhrat e Murinjos dhe kjo duket qartë. Por tekniku portugez si gjithmonë është në qendër të mediave për bëmat e tij që e bëjnë protagonist çdo javë.

Kësaj radhe Murinjo ka shpërndarë një video në llogarinë e tij në “Instagram” ku shikohet teksa konsumon pica dhe shkruan frazën “Nuk ka gjë më të mirë se një pica speciale pas një fitoreje të bukur”.

Në fytyrën e Murinjos ka gëzim pasi ecuria e mirë e Romës ka nxjerrë në pah punën e tij në një kampionat jo fort të lehtë si Seria A.

Mourinho kishte të gjitha arsyet për të qenë në humor dhe ngrënë një vakt special. Në tavolinën e tij nuk mungon as Coca Cola, një pije që Cristiano Ronaldo e largoi nga vetja në Kampionatin Europian, duke bërë thirrje publike që njerëzit të pinë ujë dhe jo pije me gaz.

Si duket, Mourinho mendon ndryshe, nuk ia ka dëgjuar këshillën patriotit të vet. Përveç kësaj transferte, Roma ka fituar 4 ndeshje radhazi në sezonin e ri, duke përfshirë 2 fitore radhazi në Serie A. Aktualisht është barazuar me pikë me Lazio dhe Inter (6 pikë) në renditje. “Special One” është 5 pikë para Juventusit, ndaj ka luksin të hajë pica në tren dhe t’i shpërndajë videot në rrjetet e tij sociale.