A Live Night Celebrities Music Showbiz

Fifi flet për fëmijërinë e saj në “A Live Night”!

E ftuar në këtë episod të “A Live Night” ishte një artiste shumë e dashur dhe e komentuar, pikërisht Fifi. Një artiste me kuptimin e plotë të fjalës, shumë e talentuar, por edhe shumë punëtore njëkohësisht, Fifi na zbuloi gjithçka në lidhje me dashurinë e saj të madhe muzikën. Hapat e parë, projektet e para, vështirësitë dhe sakrificat, njerëzit që e kanë ndihmuar përgjatë rrugëtimit e shumë të tjera zbuloi ditën e sotme Fifi në “A Live Night”. Sigurisht që nuk mund të mbetej pa u përmendur edhe jeta personale, ndjesitë dhe emocionet e artistes, teksa Fifi tregoi gjithçka nga fëmijëria e saj e deri te dashuria e vërtetë për të.

Unë e kam bërë një kompromis të vogël mes Fifit dhe Filloretës. Fifi është personazhi, ndërkohë Filloreta jam unë. Kompromisi që kam bërë është të jem e drejtpërdrejtë si Filloreta, të jem e sinqertë si Filloreta, edhe kompromisi që kam bërë për mos ta nxjerrë Filloretën, është që mos të qaj tërë kohën.

Filloreta dhe Fifi, sa janë të njejta, aq edhe nuk janë. Unë dua të jem Filloreta, por ndonjëherë duhet të jem edhe Fifi. Filloreta është arrogante, Fifi veç qesh.

Ndërkohë, Fifi solli kujtimet e saj nga fëmijëria dhe nga koha kur nisi të këndojë.

Unë gjithmonë kam kënduar. Kam qenë 1 vjeçe e gjysëm kur kam marrë pultin dhe kam dalë para televizorit dhe kam imituar Gilin. Po në atë moshë këndoja këngë të artistëve të ndryshëm dhe dilja para televizorit dhe bëja lëvizjet e tyre. Kujtimet e mia të para të fëmijërisë janë në Gjermani. Mbaj mend kopshtin, parashkollorin, shokët që kam patur, biçikletën e parë. Mbaj mend që në kohë të luftës na kishin blerë televizor për të mos parë lajmet, na angazhonte të shihnim filma vizatimorë. Kur kam gërmuar për videot e fëmijërisë sime, kam parë shumë gjëra, dhe më janë rikthyer kujtimet e asaj kohe, kuptova sa shumë e kisha dashur kamerën dhe të isha pjesë e saj. Unë kam lindur në Gjermani dhe s’e kam ndjerë kurrë veten të huaj atje. Kur jam kthyer në Kosovë, e kam ndjerë veten të huaj. Ndoshta sepse nuk dija shqip, apo sepse isha më e ndjeshme seç duhej, edhe këtë e dija që kur isha fëmijë. Nuk duroja dot fëmijët, gjeneratën time.