Sezoni i ri në ekranin e Top Channel do të nisë me një risitë të veçantë. Emisioni investigativ “Fiks Fare” këtë sezon do të moderohen nga dy figura shumë të njohura dhe të dashura për publikun shqiptar: Julian Deda dhe Xhemi Shehu.
Julian Deda, finalist i Big Brother VIP 3, kthehet pas disa vitesh në ekranin që e bëri të njohur përmes spektaklit të humorit “Portokalli”. Ai u bë një prej aktorëve më të dashur të shqiptarëve me grupin “The SHBLSH” dhe gjatë edicionit të tretë të Big Brother VIP, të gjithë panë dritëhijet e tij në një periudhë më shumë se 4 muajsh, ku arriti të renditej i dyti.
Krah Julian Dedës do të jetë Xhemi Shehu, e cila rikthehet në “Fiks Fare” pas 21 vitesh. Xhemi ishte një ndër velinat e para të këtij emisioni dhe e nisi karrierën e saj në Top Channel në vitin 2003. Ajo ka moderuar gjithashtu në emisionin “E diell” dhe spektaklin “Portokalli”. Pas një periudhe pushimi në televizion, Xhemi u rikthye në “Portokalli” dhe këtë sezon do të shohim në një rol të ri në “Fiks Fare”.
Nga e hëna në të premte, Julian dhe Xhemi do t’ua bëjnë më të bukura mbrëmjet shqiptarëve, duke ofruar investigime, kronika denoncuese dhe intervista humoristike nga çdo cep i Shqipërisë. Programi, i njohur për denoncimet dhe zbardhjen e korrupsionit në administratë, ka punuar gjatë këtyre javëve për të zbuluar problematika nga e gjithë Shqipëria.