Celebrities Gossip Showbiz

Filmi “Hive/Zgjoi” i regjisores kosovare “rrëmben” zemrën e Dua Lipa-s dhe bukuroshja ka një kërkesë për të gjithë!

Filmi “Zgjoi” i regjisores kosovare, Blerta Basholli, është dhënë premierë tanimë në shumë vende të botës. Filmi i cili ka fituar plot tri çmime të rëndësishme në Festivalin “Sundance” dhe është propozim i Kosovës në “Oscar 2022”, ishte pjesëmarrës edhe në Festivalin e Filmit në Romë. Ky film rrëfen historinë e Fahrijes e cila pas luftës mbeti e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh.

Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit. Fahrija nuk heq dorë dhe vazhdon të luftojë jo vetëm për të mbajtur familjen e saj, mirëpo edhe për të luftuar paragjykimet kundër një komuniteti që është armiqësor ndaj saj. Në këtë film luajnë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Molikë Maxhuni.

 

Ndërkaq, së fundmi, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa njëkohësisht krijuesja e hitit të famshëm “Levitating” u shpreh se ndihet e nderuar dhe shumë krenare që e pa këtë film në premierën e djeshme në Washington.

Me anë të disa fotove ku bukuroshja ishte e shoqëruar edhe nga 4 personalitete të rëndësishme si presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmai, regjisorja Blerta Basholli dhe aktorja kryesore e filmit, Yllka Gashi u shpreh se:

Mbrëmë në shfaqjen e HIVE. Një film i bukur i cili tregon historinë prekëse dhe frymëzuese të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës. Kjo histori lufte dhe këmbënguljeje është ajo që duhet treguar. Ajo flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj se mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që u ndanë dhe njerëzve që humbën të dashurit e tyre. Jam shumë krenare për atë që ka arritur Blerta Basholli, është një frymëzim. HIVE meriton një OSCAR, duhet ta shikoni patjetër!