Celebrities Film & Tv

Filmi “Zgjoi” i regjisores kosovare, tanimë edhe në Festivalin e Filmit në Romë!

Filmi “Zgjoi” i regjisores kosovare, Blerta Basholli, është dhënë premierë tanimë në shumë vende të botës. Filmi i cili ka fituar plot tri çmime të rëndësishme në Festivalin “Sundance” dhe është propozim i Kosovës në “Oscar 2022”, do të jetë pjesëmarrës tashmë edhe në Festivalin e Filmit në Romë.

Ka qenë Ambasada e Kosovës në Itali, e cila e ka dhënë këtë lajm përmes një statusi në rrjetin social Facebook:

Me 18 tetor 2021, Festivali i Filmit në Romë do të mirëpresë filmin “Zgjoi” të regjisores kosovare Blerta Basholli, e cila rrëfen historinë e vërtetë të Fahrijes, një grua nga Kosova, që mbeti e ve pas luftës në Kosovë. Filmi “Zgjoi” ka fituar tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe shumë çmime në Festivale të tjera të filmit. Regjisorja Blerta Basholli rrëfen se frymëzimi i saj për filmin ishte jeta e zonjës Fahrije Hoti, e cila portretizon një histori të zakonshme, mirëpo shumë të gjallë dhe të fortë.  Ky film rrëfen historinë e Fahrijes e cila pas luftës mbeti e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh. Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit. Fahrija nuk heq dorë dhe vazhdon të luftojë jo vetëm për të mbajtur familjen e saj, mirëpo edhe për të luftuar paragjykimet kundër një komuniteti që është armiqësor ndaj saj. Në këtë film luajnë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Molikë Maxhuni.

https://www.facebook.com/AmbasciatadelKosovoinItalia/photos/a.1400752443332260/6297290297011759/?type=3