Sport

Finalja e 25 majit, mbërrin në Tiranë trofeu i Conference League!

Më datë 25 maj, e gjithë vëmendja e futbollit europian do të jetë e përqëndruar në Tiranë tek finalja e Conference League mes Romës dhe Feynoord. Interesi nga të dyja tifozeritë është maksimal ndërsa tashmë kanë nisur të ndjehen ethet e së mërkurës.

Së fundmi, FSHF njofton se në Tiranë ka mbërritur edhe Kupa e Conference League, e cila duket shumë bukur në sfondin e qendrës së Tiranës. Kujtojmë se Conference League është një risi për Europën pasi është hera e parë që zhvillohet një kompeticion i tillë dhe që historinë e vet nis ta shkruajë pikërisht nga Tirana.

Sakaq, pritet një atmosferë fantastike në stadiumin Air Albania me tifozët holandezë dhe italianë që janë shumë të interesuar për një vend në tribunat e impiantit modern ndërsa Tirana ka edhe një mundësi të artë promovimi.

Bashkia e Tiranës është përgatitur me të gjitha detajet që kërkon në ngjarje e tillë. Në prag të ndeshjes Roma-Feyenoord më 25 maj, kryebashkiaku Erion Veliaj dha disa porosi të fundit për grupin koordinues, që po merret me organizimin, si dhe disa këshilla për qytetarët e Tiranës, duke qenë se ajo ditë do të jetë pa makina.

Veliaj e cilësoi finalen e Conference League si një mundësi fantastike për të prodhuar kartolinën më të bukur të qytetit dhe vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ai u kërkoi qytetarëve nga rrethet që, nëse kanë një udhëtim të planifikuar drejt Tiranës, ta shtyjnë atë për një ditë tjetër.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës që të mos e përdorin automjetin atë ditë, por të qarkullojnë në këmbë ose me biçikletë, teksa shtoi se transporti publik do të funksionojë.

Lidhur me sigurinë publike, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe policinë Bashkiake, ka marrë të gjithë masat e nevojshme.