Aktualitet

Finalja e 25 majit mund të jetë dita më e ngarkuar në historinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës!

Finalja e Conference League do të sjellë tifozë të shumtë dhe fluks të shtuar në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, veçanërisht ditën e ndeshjes më 25 maj dhe të nesërmen kur tifozët të largohen.

Në këtë kuadër, drejtori ekzekutiv i aeroportit tha se pavarësisht trafikut ajror të ngarkuar me dyfishim të kapaciteteve janë marrë të gjitha masat e nevojshme për vijimin normalisht të fluturimeve dhe menaxhimin e tij për të shmangur vonesat e pasagjerëve.

“Jam shumë optimist se gjithçka do të shkojë mirë, por nëse do të ketë vonesa në fluturime me tifozët ju kërkoj falje. Ne kemi rreth 110-112 fluturime në ditë. Mund të ketë edhe fluturime të shpeshta. Kjo është  normale nëse krahason aeroportin tonë me aeroportet e tjerë. Dita e ndeshjes data 25 maj mund të jetë dita më e ngarkuar në historinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.”

Pranë Aeroportit ndërkombëtar të Tiranës janë ngritur ekipe të posaçme për mbarëvajtjen e fluturimeve dhe 2 grupe operacionale për sigurinë.

“Sot aeroportit të Tiranës i kërkohet të ofrojë dy herë e gjysmë më shumë kapacitete se në kushte normale. Dmth nëse aeroporti në kushte normale mund vendosi në stande 17 avionë, nesër na kërkohet të kemi 42 avionë. Pra, imagjinoje çfarë ngarkese do jetë për operatorët, kompanitë ajrore, për policinë, për trafikun ajror“, shprehet Maksim Ethemaj, drejtori i Aviacionit Civil.

Transporti i tifozëve të dy skuadrave Romës dhe Feynord nga Rinasi në Tiranë do të bëhet me autobusë të dedikuar.