Sport

Finalja e “Champions League”, UEFA nuk ka në plan ta zhvendosë!

UEFA nuk ka në plan që të zhvendosë finalen e “Champions League”, nga Stambolli në Wembley. Pandemia e bën edhe më të vështirë këtë finale.

Turqia është në Lock-Down, kurse Britania e Madhe duhet të japë leje që ekipet të udhëtojnë drejt Stambollit.

Një skenar ishte që përderisa finalja luhet nga dy ekipe angleze, ajo të luhet në Angli. Por UEFA tashmë ka nisur përgatitjet dhe u jep dy klubeve nga 4 mijë bileta për tifozët.

Hera e fundit që Stambolli ka pritur një finale ka qenë një spektakël i vërtetë. 25 majin e vitit 2005, Liverpool mposhti Milanin falë penalltive, por që kishte përmbysur më parë një disavantazh nga 0-3 në 3-3.

Një gjë është e sigurt, që sërish trofeun e “Champions League” në qiellin e Stambollit do e ngrejë sërish një ekip anglez.