Aktualitet

Finalja e Conference League/ Policia Rrugore rrit vigjilencën, qindra gjoba në kryeqytet!

Policia Rrugore e Tiranës e ka ‘rënduar’ dorën sa i përket gjobave në rrugët e kryeqytetit.

Gjithmonë ka pasur ndëshkime, por kohët e fundit kontrollet kanë qenë më të rrepta edhe për shkak të aksidenteve dhe afrimit të ndeeshjes së Conference League.

Në këtë kuadër, përgjatë një jave u arrestuan dhe u proceduan penalisht 32 persona, për shkelje të ndryshme të kryera. Janë ndëshkuar me masë administrative 1174 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit.

496 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit. Për parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi mbi normën e lejuar dhe shkelje të tjera, të ndryshme janë ndëshkuar 1666 drejtues mjetesh.

Janë pezulluar 113 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe për shpejtësi tej normave të lejuara. Janë vendosur 618 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve. Janë hequr 2 palë targa të çregjistruara apo që u kishte përfunduar afati i përdorimit në shtetin e origjinës. Policia ka paralajmëruar se gjatë këtyre ditëve do vazhdojnë kontrollet në rrugë dhe nuk do të ketë asnjë tolerim për drejtuesit që nuk zbatojnë rregullat.