Aktualitet

Financimi rus ndaj partive, ambasadorja Yuri Kim në KQZ!

Për rreth një orë, ambasadorja amerikane Yuri Kim ishte sot në mjediset e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ ku takoi kryetarin Ilirjan Celibashi, në prani edhe të përfaqësuesve të partive politike. Mësohet se pas takimit kokë me kokë me Celibashin, me diplomaten e Uashingtonit dhe numrin një të KQZ-së u bashkuan Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste, Jorida Tabaku nga Partia Demokratike, Monika Kryemadhi, si edhe përfaqësuesi i republikanëve Arjan Madhi. Në fokus të bisedës, financimi i partive politike dhe për çështjen, më herët gjatë ditës pati debate në Kuvend.

Takimi në KQZ pason publikimin e një raporti të zbulimit amerikan, sipas të cilit, “në 8 vitet e fundit, mbi 300 milion dollarë janë dhënë fshehurazi nga Rusia për parti politike e kandidatë në dhjetëra vende, përfshirë Shqipërinë e presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në botë”.

Ish-kryetari demokrat, Lulzim Basha, mohoi informacionet e bazuara në raportin amerikan. Për Shqipërinë, aty thuhet se “në vitin 2017, përmes kompanive fantazëm, Rusia i dha rreth gjysmë milion dollarë Partisë Demokratike”.

PD, kurrë nuk ka marrë financim të huaj e aq më pak me burim rus.

2017-ta përkon me deklarimet e firmës lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” se në atë vit mori 675 mijë dollarë, për të punuar në favor të Partisë Demokratike. Selia blu pranoi pagesën e vetëm 25 mijë dollarëve, ndërsa Muzin tha se “150 mijë dollarë u paguan përmes “Biniatta Trade LP”, shoqëri me bazë në Skoci e në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në një shtet të Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale”. Investigime mediatike ngritën dyshime për fije lidhjesh të Biniattës, që çonin drejt Rusisë.

Akoma më i paqartë mbeti burimi i 500 mijë dollarëve që sipas “Muzin Capitol Partners” u paguan direkt nga PD. Por, shifra figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas revistës “Mother Jones”. Në reagimin e djeshëm, Basha vuri në dukje se “edhe hetimet për këtë çështje në Shqipëri, nuk zbuluan asnjë financim rus”.

Në qershor të 2019-ës, ai u mor i pandehur nga Prokuroria e Tiranës, por në janar 2020, Gjykata e Tiranës pushoi çështjen. Duke komentuar informacionet e fundit amerikane, Partia Demokratike që tani drejtohet nga Berisha, foli për “akte personale të Lulzim Bashës”, të denoncuara dhe më parë. PD tha se “kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë”, ndërsa njoftoi se “do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm”.