Bota

Finlanda do të aplikojë për anëtarësim në NATO!

Finlanda dëshiron të bëhet shtet anëtar i NATO-s dhe do të aplikojë për anëtarësim në Aleancë, thanë presidenti finlandez, Sauli Niinisto dhe kryeministrja, Sanna Marin më 15 maj.

Ky njoftim i hap mundësinë zgjerimit të aleancës ushtarake 30-anëtarëshe, teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon.

“Sot, presidenti i Republikës dhe Komiteti për Politikë të Jashtme i Qeverisë janë pajtuar që Finlanda të aplikojë për anëtarësim në NATO, pas konsultimeve me Parlamentin. Kjo është një ditë historike. Është hapur një epokë e re”, thanë presidenti dhe kryeministrja e këtij shteti gjatë konferencës së përbashkët për media në Helsinki më 15 maj.

Edhe shteti tjetër nordik, Suedia, pritet të bëjë njoftim të ngjashëm më 16 maj.

Javën e kaluar, si presidenti ashtu edhe kryeministrja finlandeze u shprehën në favor të anëtarësimit në NATO – një ndryshim i madh i politikës që është nxitur nga lufta në Ukrainë.

Finlanda ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë, dhe ka qenë shtet neutral, në aspektin ushtarak, për 75 vjet.

Por, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, opinionin publik dhe politik ndryshoi në mënyrë dramatike, në favor të anëtarësimit.

Rusia ka thënë se do të ishte gabim që Helskini t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore dhe kjo gjë do të dëmtonte raportet bilaterale.

Më herët gjatë kësaj jave, Niinisto u tha gazetarëve se “anëtarësimi në NATO nuk do të ishte kundër askujt”.

Ai tha se përgjigja e tij ndaj Rusisë do të ishte: “Ju e shkaktuat këtë. Shikoni veten në pasqyre”.

Parlamenti finlandez pritet që të mbështesë vendimin gjatë një seance në ditët në vijim, por një gjë e tillë konsiderohet formalitet.

Më pas, aplikimi zyrtar për anëtarësim pritet të bëhet në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ky njoftim i Helsinkit vjen teksa diplomatët e NATO-s po takohen në Berlin për të diskutuar për mbështetjen e mëtejme për Ukrainën dhe për lëvizjet nga Finlanda dhe Suedia, por edhe të tjerët, që duan t’i bashkohen aleancës.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se shteti i saj dhe të tjerët e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm për të përshpejtuar procesin për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Në Suedi, e cila po ashtu ka qenë neutrale në aspektin ushtarak për më shumë se dy dekata, mbështetja për anëtarësim në NATO është rritur në mënyrë dramatike, apo rreth 50 për qind, ndërkaq 20 për qind e popullsisë janë shprehur kundër.

Gjithashtu, edhe aspirata për anëtarësim e Gjeorgjisë, një ish-shteti sovjetik, po diskutohet nga liderët në Berlin, pavarësisht paralajmërimeve nga Moska se mund të ketë pasoja për këtë shtet fqinj nëse anëtarësohet në NATO.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod, hodhi poshtë sugjerimet se kundërshtimi i shprehur nga presidenti rus, Vladimir Putin, mund të pengojë aleancën që të pranojë anëtarë të rinj.

Kofod tha se çdo shtet ka të drejtën e tij fundamentale që të vendosë për marrëveshje të sigurisë.

“Ne tani shohim një botë ku armiku numër një i demokracisë është Putini dhe mendimin që ai përfaqëson”, tha ai.

Kofod po ashtu theksoi se NATO qëndron edhe me shtete të tjera, siç është Gjeorgjia, që sipas tij, po “instrumentalizohen” nga Rusia.

Që një shtet t’i bashkohet NATO-s, duhet që aplikimi të miratohet dhe ratifikohet nga të gjitha shtetet e aleancës.

Ndërkaq, presidenti finlandez është shprehur e gatshme për bisedime me homologun e tij nga Turqia, Recep Tayyip Erdogan, pasi Ankaraja u shpreh kundër anëtarësimit të shteteve nordike në aleancë.

Kundërshtimet e Turqisë, të drejtuara kryesisht ndaj Suedisë, përqendrohen në atë që konsiderohet qëndrim i butë i vendeve karshi Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që nga Ankaraja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, konsiderohet organizatë terroriste.

Megjithatë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë për këtë çështje me Finlandën dhe Suedinë, por edhe me shtetet e tjera të NATO-s.