Bota

Finlanda e Suedia dorëzojnë aplikimet e anëtarësimit në NATO!

Finlanda dhe Suedia zyrtarisht aplikuan që të anëtarësohen në aleancën e NATO-s. Përfaqësuesit e dy shteteve dorëzuan aplikimet në selinë e Aleancës Veri-Atlantike në Bruksel. Sipas vlerësimeve të diplomatëve, procesi i pranimit pritet të zgjasë disa javë, ndërsa ratifikimi në parlamentet e 30 shteteve anëtare, deri në një vit.

Vendimi i dy shteteve nordike që prej shumë vitesh kishin zgjedhur të ishin neutrale, u nxit nga shtimi i shqetësimeve mbi sigurinë, për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, që vijon prej datës 24 shkurt. Pasi mori aplikimet zyrtare për anëtarësim nga ambasadorët e Helsinkit e të Stokholmit, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi:

Unë mirëpres ngrohtësisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerë të ngushtë!

Pavarësisht se procesi i pranimit pritet të marrë disa javë kohë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po kundërshton anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës. Shqetësimet e Ankarasë lidhen me pretendimet se ato i kanë refuzuar kërkesat e vazhdueshme për ekstradim të figurave kurde dhe që Turqia i konsideron “terroristë”.

Zyrtarë të lartë të Finlandës e Suedisë shprehën gatishmërinë të udhëtojnë drejt shtetit turk për diskutime më të detajuara, por Erdogan i këshilloi të “mos mundohen”, me bindjen se nuk ndryshon qëndrim. Siç dihet, anëtarësimi në NATO kërkon që asnjë shtet të mos votojë kundër, pasi një veto e vetme, bllokon procesin.

Nëse tejkalohen shqetësimet që ka Turqia dhe nisin bisedimet e anëtarësimit, atëherë dy vendet skandinave mund të bëhen anëtare brenda disa muajsh. Zakonisht, një proces i tillë merr kohë nga tetë muaj deri në një vit, por NATO dëshiron që të lëvizë me shpejtësi, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia për Finlandën fqinje, si dhe Suedinë. Opinioni publik në Finlandë e Suedi mbështeti në mënyrë masive anëtarësimin, nxitur nga frika e pasiguria me agresionin rus në Ukrainë.