Bota

Finlanda e Suedia në mision për të bindur Turqinë lidhur me NATO-n, por nuk priten surpriza!

Përfaqësues të lartë të Suedisë dhe Finlandës do të vizitojnë Turqinë ditët në vijim, për të zhvilluar bisedime zyrtare lidhur me aplikimet për anëtarësim në NATO. Por, bindja e Ankarasë duket mision i pamundur dhe presidenti Erdogan e ka bërë të qartë se vizita do të ishte humbje kohe. Për dekada, dy vendet kanë mbajtur qëndrim neutral në politikën e jashtme në rajon. Por, pushtimi rus i Ukrainës që nisi më 24 shkurt, shkaktoi një ndryshim në qëndrimin e tyre. Shumica e politikanëve kanë favorizuar anëtarësimin në aleancën e NATO-s. Ndryshe nga Finlanda, Suedia nuk ndan kufi të përbashkët me Rusinë.

Suedia dhe Finlanda, që kanë deklaruar synimin për anëtarësimin në NATO, nuk i janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të Ankarasë zyrtare për ekstradimin e 33 “terroristëve”, siç i quan përfaqësuesit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Turqia është anëtare e Aleancës Veri-Atlantike prej mbi 70 vitesh. Më herët, kryediplomati turk, Mevlut Cavusoglu shprehu dyshime për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke i akuzuar se mbështesin terroristët.

Që një shtet t’i bashkohet Aleancës Veri-Atlanike, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, duhet që të gjithë anëtarët të japin dakordësi e të mos ketë një veto të vetme kundër.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh se “Turqia është një aleate e çmuar” dhe se “çdo shqetësim i saj mbi sigurinë duhet të merret në konsideratë”. Në një mesazh në Twitter, zyrtari i lartë shkruan:

Bisedova me ministrin e Jashtëm Mevlut Cavusoglu për vendimet e partnerëve tanë më të ngushtë, Finlandës dhe Suedisë, për të aplikuar për anëtarësim në NATO. Ne duhet të qëndrojmë së bashku në këtë moment historik.

Turqia thotë se “vendet skandinave mbështesin grupin terrorist YPG/PKK”, duke e fajësuar këtë të fundit se qëndron pas “fushatës terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë e është përgjegjës për vdekjen e mbi 40 mijë personave, duke përfshirë gra e foshnja”. YPG njihet ndryshe si dega siriane e PKK-së, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.