Bota

Firmosi apelin kundër dhunës ndaj protestuesve, Irani liron përkohësisht regjisorin Panahi!

Republika Islamike liron përkohësisht nga burgu regjisorin iranian Jafar Panahi. Vendimi vjen disa ditë pasi Panahi hyri në një grevë urie për të protestuar kundër asaj që e cilëson “sjellje çnjerëzore” e gjyqësorit dhe sigurisë në Iran. Në një deklaratë të publikuar në faqen e Instagramit të bashkëshortes së regjisorit, thuhet:

Sot, në ditën e tretë të grevës së urisë së Jafar Panahit, ai u lirua përkohësisht nga burgu pas përpjekjeve të familjes së tij, avokatëve të respektuar dhe kolegëve.

Po përmes këtij postimi u bë e ditur se të tjera detaje për lirimin e njeriut të kinematografisë do të jepen nga ekipi ligjor që e përfaqëson. Po ashtu, konfirmimi për lënien të lirë erdhi edhe nga Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran (CHRI) me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kujtojmë se pak para se të prangosej, Jafar Panahi nënshkroi një letër të hapur e së bashku me më shumë se 300 regjisorë iranianë, u bënte thirrje forcave të sigurisë në Iran që t’i jepnin fund shtypjes së dhunshme së protestuesve.

Qeveria iraniane ka reaguar brutalisht ndaj protestave të qytetarëve, të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini kurdo-iranianes e cila në shtator të vitit të kaluar u ndalua nga Policia e Moralit me pretendimin se nuk e mbante siç duhet shaminë e kokës. Më 16 shtator ndërroi jetë në një spital në Teheran e sipas familjarëve shkak u bë dhuna policore. Por, autoritetet i hedhin poshtë akuzat.

Të paktën 522 persona janë vrarë përgjatë katër muajve të protestave kundër Qeverisë së Iranit, sipas raportimeve të organizatës HRANA me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mesin e viktimave janë 70 fëmijë e 68 zyrtarë policorë, referuar shifrave të dhëna nga organizata rreth një javë më parë. Gati 20 mijë persona u arrestuan, por 110 nga ata përballen me akuza që mund të çojnë në dënimin e tyre me vdekje.