Politikë

Fitoi zgjedhjet në PD, Basha falënderon demokratët

Pas fitores së thellë në garën me 3 kandidatë e tjerë, fituesi i një mandati të tretë në kryet të Partisë Demokratike, Lulzim Basha vjen me një mesazh falënderimi për demokratët që e votuan dhe mbështetën në zgjedhjet e 13 qershorit.

Me një postim në Facebook, Basha thotë se do të bëjë gjithçka që “Shqipëria të fitojë”.

Faleminderit për mbështetjen e jashtëzakonshme! Ajo është një shprehje e qartë e besimit në rrugën tonë drejt ndryshimit. Së bashku do bëjmë gjithçka që Shqipëria të fitojë.

Nga mbi 41.000 demokratë që morën pjesë në votim, 32.882 prej tyre ia votëbesuan drejtimin e PD Lulzim Bashës.

I dyti më i votuari u rendit kandidati Agron Shehaj me 6.038 vota pasuar nga Edit Harxhi 991 vota dhe Fatbardh Kadilli 763 vota. Votimit të së dielës i paraprinë akuza të forta nga rivalët e zotit Basha për parregullsi të shumta.

I vetmi që doli përpara medias të komentonte këtë proces zgjedhor në PD e të ritheksonte problemet ishte Fatbardh Kadilli, i cili tha se demokratë, themelues partie, ish-deputetë, drejtues dhe figura publike nuk gjenin emrin në listë.

Dy kandidatët e tjerë Agron Shehaj dhe Edit Harxhi nuk kanë bërë asnjë koment për rezultatin e këtyre zgjedhjeve në PD, por gjatë ditës së votimit ata folën për probleme të rënda në zgjedhjet në PD, duke i cilësuar ato si një maskaradë.

Lulzim Basha si argument kryesor të betejës politike javët e fundit ka patur atë që e quan masakra elektorale e 25 prillit. Për ketë ai akuzoi direkt Edi Ramën. Basha në 13 qershor mori mandatin e tretë në krye të partisë më të madhe të opozitës në vend.