Aktualitet

Flakë të frikshme në Panaja e Bastrovë të Vlorës, në zonë ka edhe municione luftarake!

Në Vlorë, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e fshatrave Panaja dhe Bastrovë ku flakët dolën jashtë kontrollit, duke u përhapur me shumë shpejtësi. Deri tani janë djegur dhjetëra rrënjë ullinj e sipërfaqe të mëdha me shkurre. Policia e Vlorës shoqëroi dy persona si zjarrvënës të dyshuar.

Madje për shkak të tyre u bllokua rruga e vjetër kombëtare Vlorë-Fier, pasi kaluan edhe në anën tjetër. Qarkullimi u ndërpre e policia ka vendosur postblloqe për të mos lejuar kalimin e automjeteve. Në Bastrovë, flakët iu afruan shtëpive e njerëzit shprehen të frikësuar nga rreziku.

Ndërkaq, në zonë ka municione e janë dëgjuar shpërthime, që po sipas banorëve, janë granata apo fishekë të mbetur nga trazirat e vitit 1997.

Në terren janë angazhuar 4 makina zjarrfikëse dhe 16 efektivë, në ndihmë të të cilëve kanë shkuar edhe banorët e zonës, por fikja e zjarrit duket e pamundur, ndërsa kërkohet ndërhyrje nga ajri. Nga terreni, kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli tha se “të gjithë janë bërë bashkë për të vënë situatën nën kontroll. Leli kërkoi hetim të zjarrvënies.

Zjarre pati sot edhe në Pllanë të Lezhës ku u dogjën 16 ha pyje e shkurre.