Aktualitet

Flakët “pushtojnë” Dropullin, tashmë futen në zonat e banuara

Precipiton situata nga zjarret në Dropull të Gjirokastrës. Asfikësohet një banor i Frashtanit nga tymi dhe nxehtësia e flakëve. Shtetasi Kristo Ziso, është gjendur pa ndjenja në hyrje të fshatit pas avancimit të flakave drejt zonave të banuara. Dyshohet se i ka rënë infarkt nga asfiksia ndërsa është shoqëruar në gjendje të rënduar në Spitalin e Gjirokastrës.

Zjarri masiv në Dropull tashmë është futur drejt zonave të banuara, në afërsi të oborreve të shtëpive në Frashtan, Lugar dhe Gorricë. Forcat zjarrfikëse, banorët si dhe vullnetare të zonës po punojnë me intensitet për shuarjen e flakëve.

Ndërkohë pas pamundësisë së ndërhyrjes nga ajri nga Tirana, është kërkuar ndihmë nga Greqia ku pritet nga momenti në moment të mbërrijë një helikopter për të shuar zjarret.

Disa kasolle në periferi të fshatit Lugar janë djegur. Zjarri është gati 100 metra larg zonës se banuar në fshatrat Lugar dhe Goricë. Forcat zjarrfikëse dhe banorët e këtyre fshatrave si dhe vullnetarë të zonës po punojnë për shuarjen e flakëve.

Ndërkohë pas mungesës së helikopterit nga Tirana, është kërkuar ndihmë nga Greqia ku pritet të mbërrijë një helikopter për të shuar zjarret.

Kryetari i bashkisë Dropull, Dhimitër Toli thotë se ende nuk ka një bilanc të dëmeve të shkaktuar nga zjarret, por pranon se flakët kanë përfshirë një sipërfaqe shumë të madhe.

“Për momentin është më qetë. Zjarri u përhap në të gjitha fshatrat njëherësh. Era ka bërë të pamundur që forcat zjarrfikëse të mundësonin fikjen e zjarrit. Ne kemi marrë të gjitha masat.

Në fshatin Lugar, zjarri ishte dy metër larg një banese. E shpëtuam atë banesë. Tani kemi një rreze tjetër në fshatin Grapsh që vazhdon. Nuk ka ende një bilanc, por janë djegur kullotat dhe një stan në fshatin Goricë. Është një sipërfaqe shumë e madhe”.

Toli nuk përjashton mundësinë se zjarret mund të jenë të qëllimshme, por shton se ende nuk ka të dyshuar.