Aktualitet

Flamur Noka: “Kuvendi Kombëtar i PD-së do të mblidhet!”

Një ditë më parë, Lulzim Basha theksoi se nuk do të ketë Kuvend të Partisë Demokratike për të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane. Kryedemokrati kishte këtë përgjigje ndërsa ish-kryetari Berisha, i përjashtuar nga grupi demokrat, vijon me mbledhjen e firmave për të thirrur Kuvendin Kombëtar.

Në krah të Berishës, deputeti demokrat Flamur Noka deklaroi sot se Kuvendi Kombëtar do të mblidhet e sipas tij, “nuk mblidhet për të shqyrtuar asnjë vendim të Shteteve të Bashkuara, por kundër Bashës”.

Kuvendi Kombëtar i PD-së mblidhet për të shqyrtuar jo ndonjë vendim të Shteteve të Bashkuara sepse vendimet e SHBA-ve i gjykojnë institucionet e saj, por ky Kuvend do të mblidhet kundër Lulzim Bashës, kryetarit të PD-së i cili është minorancë ilegjitime dhe nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së anëtarëve të Partisë Demokratike.

Basha ka zhvilluar një tur takimesh me drejtuesit e degëve duke i thirrur, duke bërë presion, ushtruar shantazh për të mos hapur dyert për liderin historik, për të bërë gjithçka për t’ia sabotuar takimet. Kjo nuk është vetëm e turpshme, por edhe e neveritshme! Kjo tregon edhe panikun që ka zënë kryetarin nga lëvizja e demokratëve. Ai e di shumë mirë se nuk përfaqëson shumicën dhe vullnetin e demokratëve, është pakicë e pakonsiderueshme brenda PD-së.

I pyetur nëse i druhet përjashtimit nga Lulzim Basha, Noka tha se ka 30 vite në PD:

Unë jam angazhuar në politikë për të kontribuar për vendin tim, për të ardhmen e këtij vendi. Ajo që më dhemb më shumë mua është fati i PD-së, fati i demokracisë në Shqipëri sepse Basha me atë vendim përçau dhe i dha një goditje fatale partisë. I vetmi njeri që është i gëzuar nga kjo vendimmarrje është Edi Rama.

Dje pas deklaratës së Bashës, erdhi reagimi i Berishës. Në Facebook, ai shkruante: “Kuvendi nuk do të mblidhet për të shqyrtuar vendimet e asnjë qeverie, por për të shpëtuar Partinë Demokratike nga pazaret e pengut të Edi Ramës”.