Aktualitet

Fluks hyrjesh në Kakavijë, pala greke nuk punon me sportele të shtuara!

Radhë kilometrike në pikën e kalimit në Kakavijë, pranë kufirit me Greqinë, pritje me orë të gjata për të hyrë në Shqipëri, ndërsa vargu i makinave shkon deri në 4 kilometra. Ndryshe nga pala shqiptare që për të përballuar fluksin punon me numër të shtuar sportelesh, shtatë të tilla: katër në hyrje e tre në dalje, ajo greke operon vetëm me dy në dalje dhe po aq në hyrje, çka nuk mjafton e ndikon në vonesa.

Tashmë që po afron mesi i gushtit, sa vjen e shtohet numri i atyre që kthehen në vendlindje për të pushuar pranë familjeve. Fluks ka edhe në pikëkalimet e Kapshticës e Qafë Thanës. Sipas të dhënave zyrtare, përmes Kapshticës, vetëm dje kaluan traun e doganës duke hyrë në territorin shqiptar mbi 6 mijë e 200 shtetas e dolën më shumë se 3 mijë e 400. Aty janë tetë sportele: katër në hyrje dhe po katër në dalje.

Po për 12 gushtin, në Qafë Thanë hynë rreth 5 mijë vetë dhe u larguan nëpërmjet këtij pikëkalimi, mbi 3 mijë e 200 shqiptarë e të huaj.

Po ashtu, bëhet e ditur se edhe në pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit ka fluks të kalimit të udhëtarëve. Në kushtet e temperaturave të larta, për të asistuar ata që presin të kalojnë, mësohet se punonjësit e Doganës kanë shpërndarë ujë të ftohtë për qytetarët.